Luka Modric pritet t’i japë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Kroacisë gjatë muajit tetor.
Sipas mediumit italian “Gazzetta dello Sport”, mesfushori 40-vjeçar ka vendosur të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar, ndërsa përballja ndaj Spanjës pritet të jetë ndeshja e tij e fundit me fanellën e kombëtares kroate,
Modric konsiderohet një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e Kroacisë.
Gjatë karrierës së tij me ekipin kombëtar, ai ka qenë lideri i gjeneratës që arriti sukseset më të mëdha në futbollin kroat, duke e udhëhequr skuadrën deri në finalen e Kupës së Botës në vitin 2018, ku Kroacia u rendit nënkampione, si dhe drejt vendit të tretë në Botërorin e vitit 2022.
Kapiteni kroat debutoi me kombëtaren në vitin 2006 dhe që nga ajo kohë ka zhvilluar mbi 180 paraqitje, duke u bërë futbollisti me më së shumti ndeshje të luajtura në historinë e Kombëtares së Kroacisë.
Nëse raportimet konfirmohen, ndeshja ndaj Spanjës do të shënojë fundin e një epoke për futbollin kroat, me Modricin që do t’i japë lamtumirën skenës ndërkombëtare pas gati dy dekadash kontribut të jashtëzakonshëm

