Tetë persona të kërkuar me urdhëresa të organeve të drejtësisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës gjatë javës së fundit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, arrestimet janë realizuar në periudhën nga 14 deri më 22 korrik 2026, në kuadër të angazhimeve për lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim.
Nga tetë të arrestuarit, katër janë dërguar në vuajtje të dënimit me burg, ndërsa katër të tjerë janë liruar pasi kanë paguar gjobat e shqiptuara nga gjykata.
“F.Sh. është dërguar në vuajtje të dënimit me dy vjet burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. S.Gj. është dërguar në burg për tre muaj, për veprën penale “Dhunë në familje”. K.I. është dërguar në vuajtje të dënimit me 15 ditë burgim, për veprën penale që lidhet me narkotikët. L.A. është dërguar në burg për 43 ditë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, njofton policia.
Ndërkaq, katër persona të tjerë, të cilët gjithashtu ishin në kërkim me urdhëresa të gjykatave, janë liruar pasi kanë kryer pagesën e dënimeve me gjobë, në përputhje me vendimet gjyqësore.

