Gjatë ditës së nesërme do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e vrasjes së reshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.
Seanca gjyqësore do të mbahet duke filluar nga ora 09:00 në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Me 9 janar të këtij viti Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, kishte ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve për rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamed Lika në Kaçanik.
Të pandehurit me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G, akuzohen se në bashkëkryerje, më 1 prill 2025 rreth orës 23:00, kanë privuar nga jeta rreshter Muhamet Lika me armë zjarri, duke vepruar me përgatitje paraprake dhe duke përfshirë edhe një të mitur.
Prokuroria ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, është kërkuar që masa e paraburgimit të vazhdojë deri në përfundim të procesit gjyqësor./Indeksonline

