Ollie Watkins pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të kësaj vere në merkaton e futbollit. Manchester United dhe Arsenali po e ndjekin nga afër sulmuesin e Aston Villës, ndërsa 30-vjeçari ka tërhequr interesimin e shumë klubeve nga Anglia dhe Evropa.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, Aston Villa ka refuzuar tashmë një ofertë ambicioze nga Fenerbahçe.
Klubi turk po përgatiste një ofertë prej 30 milionë funtesh (rreth 35 milionë euro) për reprezentuesin anglez, por Villa e hodhi poshtë menjëherë, duke e bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta shesë.
Fenerbahçe shpresonte ta bindte Watkinsin me një kontratë trevjeçare, nga e cila ai do të përfitonte mes 7.5 dhe 8.5 milionë funte në sezon.
Megjithatë, Arsenali mbetet seriozisht në garë për sulmuesin.
Raportimet për një largim të mundshëm të Gabriel Jesus janë shtuar, ndërsa Mikel Arteta po kërkon alternativa të reja në repartin ofensiv. Watkins konsiderohet objektivi kryesor i “Topçinjve”.
Edhe Manchester United po e monitoron situatën, por për një arsye tjetër.
Joshua Zirkzee mund të largohet drejt Serie A, dhe kjo mund t’i detyrojë “Djajtë e Kuq” të kërkojnë një sulmues të ri. Nëse holandezi transferohet te Juventusi ose Roma, United pritet të paraqesë një ofertë zyrtare për Watkinsin.
Faktori vendimtar mund të jetë aspekti financiar.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Aston Villa mund të shqyrtojë oferta rreth 40 milionë funtesh, ndërsa fuqia financiare e klubeve të Premierligës shihet si elementi që mund ta bindë klubin ta lejojë largimin e sulmuesit të tij kryesor.

