Interi ka nisur punën për të siguruar të ardhmen e disa prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.
Drejtuesit zikaltër, me Giuseppe Marottan dhe Dario Baccinin në krye, po punojnë për rinovimin e kontratave të Hakan Calhanoglut, Marcus Thuramit dhe Federico Dimarcos.
Çështja më urgjente është ajo e Calhanoglut, kontrata e të cilit përfundon në qershor të vitit 2027, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Mesfushori turk dëshiron të vazhdojë në Milano dhe ka kërkuar një marrëveshje të re dyvjeçare. Palët kanë nisur kontaktet, ndërsa synimi është që gjithçka të konkretizohet para fundit të vitit.
Ndërkohë, për Dimarcon Interi tashmë ka aktivizuar klauzolën e rinovimit edhe për një sezon, duke e zgjatur kontratën deri në vitin 2028.
Megjithatë, klubi dëshiron ta zgjasë edhe më shumë bashkëpunimin me mbrojtësin e krahut të majtë, i cili ka shprehur qartë dëshirën për të qëndruar.
Në planet e Interit është edhe rinovimi i Marcus Thuramit, me të cilin kanë nisur kontaktet fillestare.
Sulmuesi francez ka kontratë deri në vitin 2028, ndërsa drejtuesit synojnë ta mbajnë për një periudhë sa më të gjatë.
Në të njëjtën kohë, klubi po punon edhe për vazhdimin e kontratës së Carlos Augustos, për të cilin bisedimet janë në fazë të avancuar.

