Eugen Cakolli nga KDI, ka kritikuar vendimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e seancës konstituive të Kuvendit më 6 gusht, duke e cilësuar atë si një veprim të vonuar dhe institucionalisht të papërgjegjshëm.
Cakolli ka thënë se shqetësimi më i madh lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, i cili sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese fillon të rrjedhë nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, nëse seanca mbahet më 6 gusht, atëherë 7 gushti do të jetë dita e parë e këtij afati, ndërsa 5 tetori dita e 60-të dhe e fundit për zgjedhjen e Presidentit.
Cakolli ka paralajmëruar se kjo mund të krijojë një situatë të paprecedentë, pasi më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit.
“Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së Presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë të ketë përfunduar”, shkruan ai.

