Caktimi i seancës konstituive, Kurti: E mirëpres, veprimet politike dhe interesi shtetëror të vihen në rend të parë

by Nexhat

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vendimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e datës 6 gusht – një ditë para afatit kushtetues – është i mirëpritur.

Ai përsëriti sërish se zgjedhjet e qershorit ishin të shmangshme, ndërsa nuk dha shenja për ndonjë përparim në krijimin e institucioneve përveçse tha se zgjedhja e Presidentit është përgjegjësi e përbashkët. Këtu Kurti e përmendi prapë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit.

banner

“Më 7 qershor, për herë të tretë në më pak se 16 muaj, patëm zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të parat, ato të 9 shkurtit 2025, ishin të rregullta pas përfundimit të mandatit të plotë katërvjeçar. Ndërsa dy proceset pasuese zgjedhore, të dyja të parakohshme në dhjetor e veçmas në qershor, kanë qenë të evitueshme dhe të panevojshme.

Caktimi i datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga ushtruesja e detyrës së presidentes, zonjës Albulena Haxhiu, është i mirëpritur. Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes.

Kemi dy javë, më së shumti, deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e qeverisë së re dhe më pas edhe e presidentit ose presidentes së Republikës. Për legjislaturën dhe ekzekutivin e ri, siç e dimë, nevojitet shumica e thjeshtë, ndërkaq për presidentin ose presidenten, së paku në dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para 15 vjetëve, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose të saj tejkalon një parti politike.

Në këtë frymë, saktësisht dy javë më parë, më 10 korrik, zhvillova takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, sërish shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën, veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”, tha Kurti. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy