Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së ka thënë se për mbrojtje e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka bërë atë që është dashur ta bëjë kryeministri i Kosovës.
Në Rubikon të Klan Kosova, ajo tha se mbrojtja e tyre është detyrim i çdo shqiptari.
“Kryeministri Edi Rama nga Shqipëria e ka marrë mbi vete edhe këtë barrë edhe ka bërë… Atë që do të duhej ta bënte edhe kryeministri i Kosovës… se unë po besoj që ka qenë obligim dhe detyrim i çdo shqiptari që ka një trohë pushtet, një trohë fuqi, një trohë platformë që të angazhohet në mbështetje të luftës sonë të drejtë”, deklaroi Çitaku.
Ajo tha se në mbrojtje të liderëve të UÇK-së ka shkuar vullnetarisht edhe Wesley Clark, ish-komandant i NATO-s.
“Imagjino, në mbrojtje të liderëve tanë ka shkuar komandanti i NATO-s. nuk e ka detyruar askush Wesley Clarkun të shkojë e të dëshmojë në Hagë, sepse nuk mundesh me detyru atë,. Ai ka shkuar në mënyrë vullnetare me ditë të tëra, një Gjeneral i dekoruar me yje i ShBA-së, i ushtrisë më të fuqishme të NATO-s, ka shkuar dhe dëshmuar vullnetarisht me ditë të tëra në Gjykatën e Hagës, e në ndërkohë, kryeministri i Kosovës, e as më pak ministrja e Drejtësisë, nuk e kanë thënë asnjë fjalë”, u shpreh Çitaku.
Duke iu referuar kryeministrit Kurti dhe ministres së Drejtësisë, ajo tha se “fatkeqësisht, në disa raste madje kanë dhënë edhe deklarata që kanë qenë identike me atë të Prokurorisë”.

