Federico Chiesa ka bërë të qartë se dëshiron të qëndrojë te Liverpooli dhe të luftojë për një vend në formacion nën drejtimin e trajnerit të ri, Andoni Iraola.
Pavarësisht spekulimeve që e lidhin me një rikthim në Serie A pas dy sezoneve të vështira në “Anfield”, reprezentuesi italian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj klubit anglez dhe dëshiron të nisë një kapitull të ri.
Chiesa synon të fitojë një rol më të rëndësishëm te Liverpooli, pasi gjatë dy sezoneve nën drejtimin e Arne Slot ishte titullar vetëm në nëntë ndeshje në të gjitha garat.
26-vjeçari, i cili iu bashkua Liverpoolit nga Juventusi në gusht të vitit 2024 për 12.5 milionë funte, ka qenë objekt i shumë spekulimeve për një largim, por ai i hodhi poshtë këto zëra pas fitores 4-2 në miqësoren ndaj Sunderlandit të shtunën.
Italiani beson se ardhja e Iraolës është mundësia ideale për ta ringjallur karrierën e tij në Angli.
“Për momentin jam i lumtur këtu te Liverpooli,” u tha Chiesa gazetarëve.
“E dua klubin, i dua tifozët, e dua gjithçka. Po bëj maksimumin që të kem një shans këtu dhe pastaj do të shohim. Tani për tani, e vetmja gjë për të cilën mendoj është Liverpooli”, tha ai.
Edhe pse ende nuk ka zhvilluar biseda të gjata me Iraolën për të ardhmen e tij apo rolin në skuadër, të dy kanë diskutuar për qasjen taktike që trajneri dëshiron të zbatojë këtë sezon.
Në ndeshjen ndaj Sunderlandit, Iraola e aktivizoi Chiesan si sulmues qendror dhe jo në krah, pozicioni ku ai ka luajtur gjatë pjesës më të madhe të karrierës.
Ky ndryshim është pjesë e filozofisë së trajnerit spanjoll, e cila bazohet në intensitet të lartë, presion të vazhdueshëm dhe duele një kundër një në të gjithë fushën.
“Bisedat e vetme që kam pasur me trajnerin kanë qenë për presingun dhe taktikën,” shpjegoi Chiesa.
“Sot më vendosi si sulmues qendror. Gjatë gjithë karrierës sime kam luajtur si anësor, por jam i lumtur të luaj edhe si sulmues. Kemi dy javë që stërvitemi me trajnerin e ri dhe kemi parë qartë se çfarë kërkon ai. Dëshiron intensitet të lartë dhe duele një kundër një në të gjithë fushën. Pikërisht këtë u përpoqëm të tregonim sot.”
Duke folur për sezonin e ri, Chiesa theksoi se dëshiron ta ndihmojë Liverpoolin të zhvillojë një edicion shumë më të mirë, si në Premier League ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, pasi sezonin e kaluar skuadra siguroi me vështirësi kualifikimin në Champions League duke përfunduar në vendin e pestë.
Italiani beson se skuadra ka cilësinë dhe thellësinë e nevojshme për të luftuar sërish për trofetë më të rëndësishëm, ndërsa synimi i tij personal është të rikthehet në formën më të mirë fizike dhe të fitojë sërish një vend në Kombëtaren e Italisë.
“Liverpooli meriton më shumë,” deklaroi Chiesa.
“Dy sezone më parë ishim kampionë të Premier League. Sezonin e kaluar pothuajse mbetëm jashtë vendeve që të dërgojnë në Ligën e Kampionëve. Luftuam për vendin e pestë, që në fund ishte i mjaftueshëm, por normalisht kualifikohen vetëm katër skuadra. Patëm fat. Ishte një sezon i vështirë dhe këtë sezon duhet të bëjmë më mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Besoj se kemi skuadrën e duhur për ta arritur këtë”.

