Tri gra të moshave 19, 24 dhe 36 vjeç janë plagosur rëndë, pasi janë sulmuar me thikë nga një i dyshuar në Paris.
Menjëherë pas rastit, ato janë dërguar për trajtim mjekësor në spital dhe pavarësisht gjendjes së rëndë, raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet franceze kanë njoftuar se është arrestuar një burrë i dyshuar për sulmin dhe plagosjen e tre grave me dy thika kuzhine të hënën në mëngjes.
“Autori u kap nga një oficer policie jashtë detyrës. Akt i guximshëm”, ka thënë ministri i brendshëm, Laurent Nunez, raporton Euronews.
Sulmi ndodhi rreth orës 11:30 të mëngjesit në zonën Porte de Clichy, në veriperëndim të kryeqytetit.
Sipas mediave lokale, njëra nga viktimat thuhet se është shtatzënë.
Ministri Nunez ende nuk ka bërë të ditur shkaqet dhe motivet e këtij sulmi, pasi ka thënë se nuk do të nxitohet të dalë me deklarata të tilla, pa u kryer hetimet.

