Luis Diaz pritet të vazhdojë aventurën te Bayern Munich, pavarësisht interesimit të madh dhe ofertës marramendëse nga klubi saudit Al-Hilal.
Skuadra nga Arabia Saudite raportohet se i ka ofruar sulmuesit kolumbian një pagë prej 22.5 milionë eurosh neto në vit, në përpjekje për ta bindur të transferohet në Lindjen e Mesme gjatë kësaj vere.
Megjithatë, Diaz nuk po mendon për një largim nga Bundesliga dhe dëshiron të vazhdojë karrierën në “Allianz Arena”. Sipas raportimeve të gazetarit Florian Plettenberg, 29-vjeçari ia ka bërë të qartë drejtuesve të Bayern Munichut se dëshiron të mbetet pjesë e skuadrës.
“Al-Hilal e ka Luis Diaz në listën e dëshirave dhe ka marrë informacione për një transferim të mundshëm. Klubi saudit tentoi ta transferonte edhe verën e kaluar dhe i ofroi një pagë deri në 22.5 milionë euro neto në vit. Por Diaz dëshiron të qëndrojë te Bayern Munich dhe këtë ia ka bërë të ditur klubit”, ka shkruar Plettenberg.
Bayern Munich gjithashtu nuk ka ndërmend të negociojë për largimin e tij. Klubi gjerman e vlerëson shumë kontributin e kolumbianit dhe nuk ka vendosur asnjë çmim për shitjen e tij.
Diaz pati një sezon debutues të shkëlqyer në Gjermani, duke realizuar 26 gola dhe 17 asistime në 48 paraqitje në të gjitha garat. Ai ishte një nga lojtarët kryesorë të sulmit të drejtuar nga Vincent Kompany, duke formuar një treshe të rrezikshme së bashku me Harry Kane dhe Michael Olise.
Al-Hilal, i cili së fundmi ka transferuar sulmuesin holandez Crysencio Summerville nga Ëest Ham për rreth 60 milionë funte, po kërkon një tjetër përforcim në krahun e sulmit, por duket se objektivi i tyre nuk do të jetë Luis Diaz.
Me kontratë deri në vitin 2027, Bayern Munich nuk pritet të pranojë oferta për yllin kolumbian gjatë kësaj vere, pasi ai shihet si pjesë e rëndësishme e projektit të klubit për të ardhmen

