Një avokat mbrojtës në New Mexico është gjobitur pasi përdori ChatGPT për përgatitjen e një ankimi në një çështje vrasjeje, ku dokumenti përfundoi me fakte dhe dëshmi të sajuara.
Gjykata e Lartë e New Mexico-s shpalli avokatin Stephen Aarons në mosrespekt të gjykatës dhe e gjobiti me 5 mijë dollarë. Sipas gjykatës, materiali i përgatitur me ndihmën e ChatGPT përmbante dëshmi të rreme nga dëshmitarë që nuk ekzistonin.
Dokumenti ishte pjesë e ankimit për Oscar Renee Sandoval, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkeshortes.
Mes informacioneve të sajuara ishte edhe një përshkrim i rremë për veshjen e autorit të krimit.
Aarons, i cili ushtron profesionin prej më shumë se 40 vitesh, pranoi se kishte përdorur ChatGPT për të përmbledhur të dhënat e procesit gjyqësor. Ai pretendoi se nuk ishte në dijeni se teknologjia mund të “halucinonte”, duke gjeneruar informacione të pasakta.
Gjyqtarët vunë në dyshim këtë argument, duke theksuar se problemet e krijuara nga përdorimi i informacioneve të sajuara nga AI në profesionin juridik janë raportuar gjerësisht.
Përveç gjobës, çështja e Aarons do t’i referohet edhe bordit disiplinor të avokatëve për hetime të mëtejshme.
Avokati ka shprehur keqardhje dhe ka deklaruar se shpreson që bordi disiplinor ta konsiderojë ngjarjen një gabim të paqëllimshëm.

