Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka thënë se deklarata e miratuar nga Kuvendi Komunal i Plevles për “çnjohjen” e Kosovës nuk ka asnjë efekt juridik dhe mund të shihet vetëm si pjesë e debatit të përditshëm politik.
Çështja u ngrit pasi Ana Lacmanoviq, këshilltare e partisë “Nova Srpska Demokratija” (NSD) në Kuvendin Komunal të Plevles, e cila votoi për deklaratën që kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, është autorizuar për të koordinuar përkohësisht punën e Njësisë Rajonale të Drejtorisë për Patundshmëri në Ulqin, raporton “Vijesti”,
Kjo ka shkaktuar reagime në Ulqin dhe u diskutua edhe në Parlamentin e Malit të Zi, ku deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, i kërkoi sqarime kryeministrit gjatë seancës së pyetjeve parlamentare.
“Si e komentoni faktin që funksionin e drejtueses së Njësisë Rajonale të Drejtorisë për Patundshmëri në Ulqin e ushtron një këshilltare e Kuvendit Komunal të Plevles, e cila ka votuar për deklaratën që kundërshton vendimin e Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e pavarësisë së Kosovës?”, pyeti Çapuni.
Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Plevles, me propozim të “Partisë Demokratike Popullore” (DNP) të Millan Knezheviqit, miratoi “Deklaratën për mosnjohjen e vendimit për njohjen e pavarësisë” së Kosovës. Një deklaratë e ngjashme ishte miratuar më herët edhe nga Kuvendi Komunal i Zetës.
Çapuni kërkoi nga Spajiq të sqarojë nëse ushtrimi i një funksioni drejtues në administratën shtetërore, njëkohësisht me angazhim politik kundër politikës zyrtare të Malit të Zi, është në përputhje me parimet e neutralitetit politik dhe paanshmërisë së nëpunësve shtetërorë.
Ai kërkoi gjithashtu të dijë kush e ka propozuar dhe autorizuar Lacmanoviqin, mbi bazën e cilave kritere profesionale dhe nëse Qeveria do të shqyrtojë ligjshmërinë e këtij autorizimi, konfliktin e mundshëm të funksioneve dhe arsyeshmërinë e vazhdimit të ushtrimit të detyrës së saj në Ulqin.
Në arsyetimin e pyetjes, Çapuni tha se çdo qytetar ka të drejtë të ketë bindjet e veta politike, por se një nëpunës shtetëror në pozitë drejtuese ka detyrimin të veprojë në mënyrë neutrale, të paanshme dhe në përputhje me interesin publik dhe politikën zyrtare të shtetit.
Ai kujtoi se Ligji për nëpunësit dhe zyrtarët shtetërorë përcakton se nëpunësit duhet t’i kryejnë detyrat në mënyrë politikisht neutrale dhe të përmbahen nga shfaqja publike e bindjeve politike.
“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një mendim privat. Flasim për votimin e një këshilltareje të zgjedhur për një akt që kundërshton vendimin e Qeverisë për njohjen e Kosovës. Kjo deklaratë nuk ka efekt juridik në politikën e jashtme të Malit të Zi. Kuvendi komunal nuk ka kompetencë kushtetuese të njohë apo të mos njohë shtete të tjera. Pikërisht për këtë arsye, miratimi i saj përfaqëson një demonstrim politik kundër politikës zyrtare të shtetit. Në të njëjtën kohë, personi që e mbështeti këtë akt politik drejton një njësi rajonale të një organi shtetëror në Ulqin”, tha Çapuni.
Ai shtoi se Drejtoria për Patundshmëri nuk është organizatë politike.
“Ajo vendos për të drejta shumë të ndjeshme të qytetarëve – pronësinë, regjistrimet, shënimet dhe të drejtat e tjera mbi pasuritë e paluajtshme. Drejtuesi i një njësie të tillë duhet të gëzojë besim të plotë se do të veprojë ndaj çdo qytetari në mënyrë të ligjshme, të paanshme dhe pa futur qëndrime partiake, kombëtare apo politike në punën e institucionit”.
“Kjo është veçanërisht e ndjeshme në Ulqin, si një mjedis multietnik me shumicë shqiptare. Nuk pretendoj se ndonjë qytetar është diskriminuar dhe as nuk e akuzoj paraprakisht drejtuesen për veprime të paligjshme, por Qeveria duhet të kujdeset edhe për besimin e qytetarëve në paanshmërinë e administratës shtetërore”, tha deputeti.
Në përgjigjen me shkrim, Spajiq theksoi se Lacmanoviq nuk është emëruar drejtoreshë e Njësisë Rajonale në Ulqin dhe as nuk është transferuar përkohësisht në atë detyrë, por vetëm është autorizuar përkohësisht të koordinojë punën e njësisë për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të saj.
Sipas tij, pozita e drejtuesit të njësisë në Ulqin është vakant, pasi zyrtarit që e mbante atë post i ka përfunduar marrëdhënia e punës sipas ligjit.
“Për të siguruar funksionimin normal të njësisë, duke pasur parasysh rritjen e vëllimit të punës, mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe faktin se nuk kishte kandidatë të interesuar, është autorizuar një zyrtare nga Njësia Rajonale e Tivarit që përkohësisht të koordinojë punën e Njësisë Rajonale të Ulqinit dhe të nënshkruajë aktet që bien në kompetencën e saj. Pra, ajo nuk është emëruar në postin e drejtueses dhe as nuk është transferuar me vendim në atë njësi organizative. Bëhet fjalë ekskluzivisht për një autorizim të përkohshëm për të garantuar vazhdimësinë e punës”, tha Spajiq.
Ai shtoi se autorizimi është dhënë nga Drejtoria për Patundshmëri në përputhje me ligjin, duke vlerësuar përvojën profesionale dhe rezultatet e saj në Njësinë Rajonale të Tivarit.
Sa i përket mandatit të saj si këshilltare në Kuvendin Komunal të Plevles, Spajiq tha se këshilltarët, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Malit të Zi, vendosin dhe votojnë në mënyrë të pavarur dhe mbajnë përgjegjësi politike vetëm para qytetarëve që i kanë zgjedhur.
“Njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë kompetencë të vendosin për çështjet e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo është kompetencë e organeve shtetërore, të cilat, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, përcaktojnë dhe zbatojnë kursin e politikës së jashtme të shtetit”, u përgjigj ai.
Spajiq përsëriti se deklarata për “çnjohjen” e Kosovës nuk ka efekt juridik dhe nuk mund të prodhojë pasoja ligjore ndaj vendimeve të organeve kompetente, por mund të konsiderohet vetëm si objekt i debatit të përditshëm politik.
Para Lacmanoviqit, Njësinë Rajonale të Kadastrës në Ulqin e kishte drejtuar përkohësisht Gresa Muçaj Sula, ndërsa më parë këtë funksion e kishte ushtruar për afro dy dekada Xhevdet Çapriq.
Çapuni: Po sikur një qytetar i Kosovës të kërkojë regjistrimin e një prone?
Gjatë seancës, Ilir Çapuni ngriti edhe një pyetje hipotetike.
“Nëse një shtetas i Kosovës do të paraqitej në Kadastrën e Ulqinit me dokumente të Kosovës për të regjistruar një pronë, çfarë përgjigjeje do të merrte? ‘Ne nuk i njohim këto dokumente?’”, pyeti ai.
Spajiq u përgjigj shkurt se çdo mosveprim në kundërshtim me ligjin do të çonte në përgjegjësi penale

