Bernardo Silva për Realin: Është e pamundur të refuzon klubin më të madh të historisë

by Nexhat

Bernardo Silva ka përjetuar të hënën ditën e tij të parë si futbollist i Real Madridit, pasi iu bashkua “Los Blancos” si lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij te Manchester City.

Mesfushori portugez fillimisht kreu kontrollet mjekësore në mëngjes, ndërsa më pas mori pjesë në të dyja seancat stërvitore të zhvilluara në qendrën stërvitore të Real Madridit.

banner

Pas stërvitjes së parë nën drejtimin e Jose Mourinhos, ai dha një intervistë për televizionin zyrtar të klubit, ku nuk e fshehu entuziazmin.

“Është diçka shumë e veçantë dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Nuk ka nevojë të flitet për këtë klub, sepse historia e tij flet vetë”, tha Bernardo Silva.

“Jam shumë i lumtur që po e nis këtë etapë të re dhe dua ta ndihmoj këtë skuadër të vazhdojë të fitojë, sepse kjo është ajo që di të bëjë më së miri. Jam këtu për të ndihmuar dhe për të vazhduar rrugën e sukseseve të këtij klubi të mrekullueshëm”, shtoi ai.

Portugezi pranoi se dita e parë nuk ishte e lehtë fizikisht, por mbeti i impresionuar nga atmosfera në ekip.

“Jam i lodhur. Seanca e parë ishte e vështirë, por jam shumë i lumtur që po njoh bashkëlojtarët e mi. Disa prej tyre i njoh mirë, sepse kam luajtur shumë herë kundër tyre. Të gjithë stërviten me intensitet të madh dhe ky vend të bën të ndihesh sikur je në shtëpi”, vazhdoi ai.

Bernardo Silva foli edhe për trajnerin Jose Mourinho, me të cilin dikur ishte rival, ndërsa tani do të bashkëpunojë.

“Në disa momente kemi qenë rivalë, ndërsa tani jemi në të njëjtën skuadër. Ai është një trajner që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për futbollin portugez. Që kur isha i vogël kemi ndjekur ekipet e tij dhe ai gjithmonë e ka mbajtur emrin e Portugalisë në nivelin më të lartë. Jam shumë i lumtur që do të punoj dhe do të mësoj prej tij”, tha ai tutje.

I pyetur se çfarë mund t’i ofrojë Real Madridit, Silva u përshkrua si një futbollist që vendos ekipin mbi gjithçka.

“Jam një lojtar që mbështetet te puna dhe përpiqet t’i bëjë më të mirë ata që luajnë pranë meje. Mundohem gjithmonë të jem i gatshëm të luaj në disa pozita për ta ndihmuar skuadrën. Mund të përshtatem në role të ndryshme dhe do të jem gati për çdo gjë që ka nevojë Real Madridi”, vazhdoi ai.

Ai zbuloi gjithashtu se nuk kishte asnjë dilemë kur mori telefonatën nga klubi madrilen.

“Kur u shfaq Real Madridi, ishte e pamundur të thosha jo. Nuk mendova as edhe një herë. Pasi kam luajtur shumë herë kundër Real Madridit, e kupton sa i madh është ky klub dhe sa prestigj ka stadiumi Santiago Bernabéu. Gjithashtu, fakti që jam pranë familjes, shumë afër Portugalisë dhe në një kulturë të ngjashme, më ndihmon. Por mbi të gjitha, të luash për klubin më të madh në historinë e futbollit është një privilegj”, shtoi ai më tej.

Në fund, Bernardo Silva foli edhe për idhujt e tij në futboll.

“Kam shumë idhuj. Zinedine Zidane është padyshim njëri prej tyre. Po ashtu Rui Costa, sepse është një ikonë e Benficës dhe Portugalisë, si edhe Luka Modrić, i cili ka qenë një shembull i jashtëzakonshëm si brenda ashtu edhe jashtë fushës”, bëri me dije ai.

Ai e mbylli intervistën me fjalë të veçanta për legjendën franceze.

“Zidane është ndoshta një nga pesë futbollistët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ai luante pothuajse në të njëjtin rol si unë dhe kur isha i ri e shikoja me shumë vëmendje mënyrën se si kontrollonte topin dhe si luante”, e mbylli portugezi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy