Një mesfushor i ekipit të parë të Arsenalit raportohet se është në bisedime të avancuara për t’u larguar nga klubi, ndërsa “Topçinjtë” janë shumë pranë transferimit të yllit të Newcastle United, Bruno Guimarães.
Kalimi i Guimarães në “Emirates” duket një hap larg finalizimit, pasi gazetari i “The Athletic”, David Ornstein, raportoi se Arsenali dhe Newcastle United janë “pranë arritjes së një marrëveshjeje të plotë” për transferimin e brazilianit.
Sipas raportimit, vetë Guimarães i ka bërë të ditur Newcastleit se dëshiron të largohet.
Fillimisht, Arsenali ishte i gatshëm të paguante deri në 60 milionë funte për 28-vjeçarin, por një ofertë verbale më e ulët ishte refuzuar nga Newcastle në fillim të merkatos.
Edhe pse klubi anglez kishte insistuar se kapiteni i skuadrës nuk ishte në shitje, tashmë raportohet se të gjitha palët dëshirojnë ta zgjidhin situatën dhe marrëveshja është shumë pranë përfundimit.
Mesfushori pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore sapo të marrë leje për t’u larguar nga kampi përgatitor i Newcastleit në La Manga të Spanjës.
Megjithatë, ardhja e Guimarães mund të sjellë edhe një largim të rëndësishëm nga Arsenali.
Sipas raportimeve, Ethan Nwaneri është në bisedime të avancuara për t’u larguar nga klubi.
19-vjeçari, i cili në vitin 2022 u bë debutuesi më i ri në historinë e Arsenalit kur luajti ndaj Brentfordit në moshën 15 vjeç e 181 ditë – rekord që më pas u thye nga Max Dowman – e kaloi sezonin e kaluar në formë huazimi te Marseille, ku zhvilloi vetëm nëntë paraqitje.
Arsenali raportohet se është në “bisedime të avancuara” për ta shitur talentin anglez dhe synon të përfshijë një klauzolë riblerjeje në çdo marrëveshje.
Sipas gazetarit Carlo Pellegatti, i cituar nga “Metro”, Arsenali ka zhvilluar bisedime të avancuara me RB Leipzig për transferimin e Nwanerit, ndërsa interesim ka shfaqur edhe gjiganti italian Milan, i cili ka kontaktuar klubin londinez.
Arsenali e vlerëson futbollistin mes 30 dhe 35 milionë funtesh dhe dëshiron të përfshijë një klauzolë riblerjeje prej 50 milionë funtesh.
Këto zhvillime vijnë pasi trajneri Mikel Arteta pranoi se huazimi i Nwanerit te Marseille “nuk shkoi siç ishte planifikuar”, pas fitores 4-1 në miqësoren ndaj Gironës fundjavën e kaluar.
“E di që në fushë gjërat nuk shkuan siç dëshironim, sepse ndodhën shumë gjëra te Marseille. Por kur e sheh sot, vëren pjekurinë e tij. Duket si një njeri krejtësisht tjetër.
Në letër, ajo eksperiencë nuk ishte ideale, por mendoj se kaloi nëpër diçka që do ta ndihmojë shumë në karrierën e tij”, deklaroi Arteta.
Arsenali këtë verë ka afruar tashmë Illan Meslier, Christos Tzolis dhe Piero Hincapie, ndërsa priten edhe lëvizje të tjera në hyrje dhe dalje para mbylljes së merkatos më 1 shtator.
Duke folur për merkaton më 1 gusht, Arteta u shpreh: “Jemi shumë aktivë në përpjekjet për ta përmirësuar dhe zhvilluar skuadrën, kjo është e qartë. Presim që në javët e ardhshme të ketë lëvizje. Duam të bëhemi edhe më të fortë, ashtu si çdo klub tjetër. Mjafton të shikoni tregun e transferimeve dhe atë që po bëjnë kundërshtarët tanë. Nuk do të qëndrojmë duarkryq dhe jemi shumë ambiciozë me atë që po bëjmë”.
Arsenali do ta nisë mbrojtjen e titullit në Premierligë më 21 gusht, me ndeshjen në shtëpi kundër Coventryt, skuadrës së sapongjitur në elitën angleze.

