Komuna e Prishtinës ka nisur zbatimin e rregullave ligjore të ligjit për ndërtim, që ndalojnë marrjen në shfrytëzim të objekteve banesore, afariste, industriale dhe publike para përfundimit të inspektimit final dhe pajisjes me certifikatë të përdorimit.
Kjo me qëllim të mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve, si dhe për të siguruar zbatimin e legjislacionit në fuqi në fushën e ndërtimit.
Drejtori i Inspektoratit të kryeqytetit, Bekim Brestovci, bëri të ditur për KosovaPress se investitorët janë njoftuar se nga tani e tutje nuk do të lejohet shfrytëzimi i asnjë objekti pa përmbushjen e këtyre detyrimeve ligjore.

