Gruda: Kuvendi duhet të konstituohet deri të premten, Kurti po synon kontrollin e plotë të pushtetit

by Nexhat

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se ditët në vijim janë vendimtare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi përfundon të premten.

Gruda ka thënë se nesër pritet të vendosen detajet për hapat e radhës, ndërsa ka vlerësuar se Kuvendi duhet të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit të përcaktuar.

banner

“E nesërmja është dita e parafundit. Të premten është dita e fundit për konstituimin e Kuvendit. Duhet të betohen deputetët, të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët. Besoj se nuk do të ketë ndryshim sa i përket Vlora Çitakut. Nesër do të vendosen detajet”, ka deklaruar Gruda.

Sipas tij, pas përfundimit të afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, çdo vonesë do të ishte në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gruda ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se afati për këtë çështje është deri më 5 tetor dhe se në rast të dështimit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ne kemi kohë deri më 5 tetor për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk zgjidhet, atëherë kemi zgjedhje të reja. Sipas përllogaritjeve, ato do të mund të mbaheshin rreth 15-22 nëntorit”, ka thënë ai.

Duke komentuar situatën politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Gruda ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka humbur mbështetje dhe numër deputetësh, ndërsa opozita është rritur.

“Zoti Kurti ka pasur rreth 50 për qind të votave dhe ka menduar se duhet edhe një palë zgjedhje për ta marrë edhe presidentin. Ne kemi thënë se nuk mundet të marrë gjithçka. Kurti ka humbur deputetë dhe ka rënë nga mbështetja që kishte”, është shprehur Gruda.

Ai ka kundërshtuar argumentin se Vetëvendosja është konsumuar nga pushteti për shkak të humbjes së votave.

“Argumenti që e ka konsumuar pushteti, që ka humbur 100 mijë vota për pesë muaj, nuk qëndron. Nuk konsumohesh për pesë muaj. Ne kemi humbur vota, por Kurti ka humbur më shumë”, ka deklaruar ai.

Gruda ka theksuar se, sipas tij, rezultatet tregojnë rritje të opozitës dhe rënie të Vetëvendosjes.

“Ne jemi në sistem proporcional. Albin Kurti i ka pasur 57 deputetë, sot i ka 53. PDK i ka 22 dhe i ka mbajtur, ndërsa LDK nga 15 ka shkuar në 18. Opozita është rritur, Kurti ka rënë”, ka thënë ai.

Sipas Grudës, kryeministri Kurti po vazhdon të synojë kontrollin e plotë të institucioneve.

“Edhe pse ka rënë, zoti Kurti po synon me të njëjtat ide të marrë kontrollin e plotë. Dikush që i merr 47 për qind të votave e ka detyrim ta ruajë fitoren e vet. Në demokraci fitorja ruhet duke bërë marrëveshje, duke i zgjedhur institucionet dhe duke shkuar për katër vjet qeverisje”, ka deklaruar Gruda.

Ai ka shtuar se zgjedhja e presidentit nga cilado parti tjetër do të ishte, sipas tij, në favor të Vetëvendosjes, pasi do t’i mundësonte vazhdimin e qeverisjes për një mandat të plotë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy