Albin Kurti tha të premten se LDK-ja po kërkon shumë, por se ende do të “insistojë” për marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, pa të cilën, sipas tij, s’ka arsye të konstituohet as Kuvendi.
Madje, shkoi më tej duke i trajtuar si fisnore kërkesat.
Në anën tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, doli me një gjuhë më të butë nga takimi.
Por, kur u pyet për takime tjera me Kurtin, ai tha se bazuar në pozicionet e dy partive s’ka arsye për takime të reja.
“Në rrethanat e tanishme, me pozicionet e tanishme, besoj që s’ka arsye të kemi edhe takime, në qoftë se s’kemi lëvizje nga pozicionet që jemi tani”, tha Abdixhiku.
“Takimet kanë kuptim kur ka gatishmëri për të lëvizur ose për të pranuar kompromise. Ajo çfarë kërkojmë është kompromisi”, shtoi ai.
Të njëjtën ditë, Abdixhiku i kërkoi Kurtit ta konstituojë Kuvendin.
Por, kur Kurti u thirr të shtunën për të propozuar emrin e kandidatit të partisë së tij për kryeparlamentar, kryeministri në detyrë shkoi në foltore për të kërkuar edhe një herë ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Në këtë vazhdim të seancës, Kurti tha se i duhet më shumë kohë për negociata dhe se konstituimi i Kuvendit s’kishte kuptim pa marrëveshje edhe për zgjedhjen e Presidentit.
Partitë opozitare dhe akterë të shoqërisë civile kanë reaguar ashpër pasi Dehari caktoi seancën për ditën e shtunë, jashtë afatit të kërkuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që ishte dita e premte. Po ashtu, u kërkua që seanca e thirrur jashtë këtij afati të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për të parë nëse ka shkelje.
Por, cilat ishin veprimet e Kurtit?
Pasi e bindi kryesuesin Avni Dehari ta ndërpresë seancën konstituive pak pas nisjes, një ditë më vonë Kurti e kishte të qartë se çfarë do të nxirrte nga takimi me Abdixhikun.
Para gazetarëve, shfrytëzoi rastin t’i delegjitimojë kërkesat e LDK-së, duke i cilësuar të paarsyeshme.
“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, tha ai.
Tha se nuk mund të bëjë “marrëveshje që do ta zëvendësonte vullnetin e popullit dhe do ta deformonte rezultatin zgjedhor”.
Tutje, ai shtoi se nëse një parti duhet ta propozojë një kandidat për President, duhet të jetë subjekti i tij politik, LVV-ja.
Pa marrëveshje me Abdixhikun dhe pa takime me PDK-në dhe AAK-në, vendi i ka të sigurta zgjedhjet e reja.
Të shtunën, pas takimit me Abdixhikun dhe incidentit në seancë, Kurti në një konferencë për media bëri thirrje sërish për bisedime. Ftesën ua drejtoi të gjithëve.
“Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, i tha sërish kryesuesit kur doli në foltore edhe një herë tjetër, për të mos e propozuar sërish emrin e kandidatit të LVV-së për kryetar të Kuvendit.
Pas ndërprerjes së sërishme të seancës, kreu i LVV-së tha se, ndonëse i kanë votat për të votuar një kryeparlamentar të ri, çfarëdo konstituimi i organit ligjvënës, pa një marrëveshje që garanton edhe zgjedhjen e presidentit, “pashmangshëm na shpie në zgjedhje të reja”.
“Andaj insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi vesh dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshjeje mes meje dhe liderëve të partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin”, tha ai.
Hedhjen e vezëve ndaj tij nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, Kurti e konsideroi sakrificë të tijën për dialog e marrëveshje.
“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë”, tha ai.
Ai ka paralajmëruar se do të “insistojë” në negociata me partitë për zgjedhjen e Presidentit.

