Kosova gjatë periudhës 10–14 gusht do të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm, me diell dhe temperatura të larta.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat maksimale do të lëvizin nga 30 deri në 36 gradë Celsius, ndërsa më të nxehta pritet të jenë e marta dhe e mërkura, kur temperaturat mund të arrijnë deri në 36°C. Temperaturat minimale do të lëvizin kryesisht nga 11 deri në 17°C.
Të enjten, më 13 gusht, pritet zhvillim i vranësirave konvektive gjatë ditës, duke krijuar kushte për reshje lokale shiu, bubullima dhe stuhi të izoluara. Temperaturat maksimale atë ditë pritet të jenë nga 30 deri në 34°C. Të premten moti do të jetë sërish kryesisht me diell, me vranësira të pakta deri mesatare dhe temperatura maksimale nga 30 deri në 35°C.
IHMK ka paralajmëruar gjithashtu nivel të lartë deri shumë të lartë të rrezatimit UV dhe ngarkesë termike për shkak të temperaturave të larta. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve 10:00–16:00, të përdorin krem mbrojtës ndaj rrezatimit UV, kapelë dhe syze mbrojtëse, si dhe të konsumojnë mjaftueshëm ujë. Kujdes të shtuar rekomandohet për fëmijët, të moshuarit dhe personat e ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.

