Qumështorja VITA ka reaguar pas deklaratave të bëra sot nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, duke e akuzuar atë për qasje politike dhe përpjekje për ta dëmtuar imazhin e kompanisë.
Në reagimin e saj, VITA thotë se ministri ka konfirmuar se në analizat e qumështit të kompanisë nuk është gjetur vaj palme.
“Edhe këtë herë, ministri u përpoq përmes deklaratave politike dhe interpretimeve të përgjithshme të njollosë VITA-n dhe qumështin e fermerëve të Kosovës. Por faktet nuk mund të ndryshohen me propagandë politike”, thuhet në reagim,
Sipas VITA-s, publikimi i analizave ka qenë kërkesë e saj që nga fillimi i kësaj çështjeje.
“Pikërisht këtë kemi kërkuar që nga dita e parë, publikoni analizat dhe lërini qytetarët ta shohin të vërtetën”, thuhet më tej.
Kompania ka bërë të ditur se ka publikuar edhe një herë analizat zyrtare të dërguara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i shohin vetë rezultatet.
VITA ka kritikuar gjithashtu atë që e cilëson si fokus të ministrit Muja vetëm te kjo kompani.
“Ne nuk do të heshtim përballë dëmtimit të një brendi vendor dhe të qumështit që vjen nga fermerët e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qumështores VITA.
Në fund, kompania ka theksuar se dokumentet janë publike dhe se, sipas saj, “faktet flasin vetë”.

