Portugezi Antero Lopes merr detyrën si shef i EULEX-it

by Nexhat

Drejtuesi i lartë ndërkombëtar nga Portugalia, Antero Lopes, ka marrë sot zyrtarisht detyrën e Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.

Në deklaratën e tij të parë pas marrjes së detyrës, Lopes tha se ndihet i nderuar që do të udhëheqë misionin, të cilin e cilësoi si partner të besueshëm dhe të paanshëm të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë.

banner

“Jam i nderuar që po marr detyrën e Shefit të EULEX-it dhe që do të udhëheq një Mision i cili, për shumë vite, ka shërbyer si partner i besueshëm dhe i paanshëm i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë. Ekipi i larmishëm dhe profesional i EULEX-it vazhdon të jetë i përkushtuar fuqishëm për mbështetjen e një sektori të sundimit të ligjit të përgjegjshëm dhe të pavarur, i cili është thelbësor për qeverisjen demokratike, sigurinë juridike, besimin e publikut dhe stabilitetin afatgjatë, në dobi të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha Lopes.

Ai theksoi se EULEX-i do të vazhdojë të mbështesë institucionet kosovare përmes këshillimit strategjik, monitorimit dhe mbështetjes operative, në përputhje me mandatin e misionit.

“Duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e Kosovës, partnerët e Bashkimit Evropian dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar, jam i përkushtuar të siguroj që Misioni të vazhdojë të ofrojë këshillim strategjik, monitorim dhe mbështetje operative në përputhje me mandatin e tij,  duke promovuar njëkohësisht qëndrueshmërinë institucionale, profesionalizmin, integritetin, respektimin e plotë të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe barazinë gjinore. Një sistem i sundimit të ligjit që është i pavarur, i paanshëm dhe i lirë nga ndikimi i papërshtatshëm politik është i domosdoshëm për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës. Pres me kënaqësi të angazhohem nga afër me homologët tanë, t’i dëgjoj prioritetet e tyre dhe të punojmë së bashku për të arritur përparim konkret dhe të qëndrueshëm, i cili do ta forcojë më tej sundimin e ligjit dhe do të kontribuojë gjithashtu në stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha ai,

“Antero Lopes sjell me vete 40 vjet përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë pothuajse tri dekada në funksione të larta udhëheqëse në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Duke qenë se ka shërbyer për rreth gjashtë vjet në Kosovë, ai e njeh mirëkontekstin e Kosovës dhe sjell njohuri të gjera dhe përvojë praktike në diplomaci, sundimin e ligjit, qeverisjen e sektorit të sigurisë, menaxhimin e krizave, ndërmjetësimin dhe reforma institucionale”.

Mandati i Antero Lopes zgjat deri më 14 qershor 2027. Ai pason Giovanni Pietro Barbano, Gjeneralmajor italian i Karabinierisë Italiane, i cili e përfundoi mandatin e tij si Shef i EULEX-it në qershor 2026.

EULEX-i u themelua në vitin 2008 si Misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të Bashkimit Evropian.

Në qershor 2025, Këshilli e zgjati mandatin e EULEX-it deri më 14 qershor 2027, në bazë të Vendimit (CFSP) 2025/1161.

BIOGRAFIA e  Antero Lopes

Antero Lopes është drejtues i lartë ndërkombëtar nga Portugalia me mbi 40 vjet përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë pothuajse tri dekada në role të larta udhëheqëse në sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, në operacionet paqeruajtëse dhe në misionet e posaçme politike.

Para emërimit të tij si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ai ka shërbyer në operacione komplekse paqeruajtëse në Evropë, Afrikë dhe Azi, duke përfshirë UNPROFOR-in në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe, së fundmi, UNMIK-un në Kosovë.

Ai ka përvojë të gjerë në bashkëpunimin me qeveritë, përfaqësuesit e lartë politikë dhe institucionalë, si dhe me shoqërinë civile.

Fushat e ekspertizës së tij përfshijnë diplomacinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e sektorit të sigurisë, menaxhimin e krizave, ndërmjetësimin dhe reformat institucionale.

Ai është diplomuar për studime të avancuara në Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane nga Universiteti i Lisbonës dhe Kolegji i Evropës (Bruges), si dhe ka përfunduar trajnim ekzekutiv për drejtues të lartë dhe qeverisje publike në Universitetin e Harvardit

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy