Avokati Arianit Koci ka kërkuar nga institucionet e Kosovës angazhim më të madh për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës të arrestuar në Serbi.
Koci ka thënë se, bazuar në rastet që ka përcjellë ndër vite, ka krijuar përshtypjen se arrestimet shtohen sa herë në Kosovë zbulohen varreza masive ose dalin prova të reja për krimet e forcave serbe.
Sipas tij, përmes këtyre rasteve tentohet të krijohet narrativa se krime kanë kryer të dyja palët.
“Përmes këtyre rasteve tentohet me u kriju narrativa se krime kanë kryer të dy palët. Prandaj, shteti duhet me u marrë shumë më seriozisht me mbrojtjen e qytetarëve tanë në Serbi”, ka shkruar ai në Facebook.
Koci ka deklaruar se autoritetet serbe kanë ushtruar presion ndaj tij dhe se tri herë është ndaluar edhe gjatë udhëtimit me veturë diplomatike, në praninë e shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd.
Tutje, Koci ka thënë se Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka ofruar pa pagesë ndihmën e tij për koordinimin e mbrojtjes juridike të të arrestuarve, por pretendon se ka hasur në neglizhencë dhe mungesë koordinimi.
Ai ka kritikuar edhe deklaratat publike të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Dačiq, ndaj personave të arrestuar, duke thënë se ato cenojnë prezumimin e pafajësisë. Koci ka kërkuar që institucionet e Kosovës të tregojnë të njëjtën ndjeshmëri për qytetarët e arrestuar në Serbi sikurse për qytetarët e lënduar në raste të tjera jashtë vendit.
Në deklaratën e tij, ai ka veçuar shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jasharin, për të cilin tha se po bën punë të madhe me mundësi të kufizuara, ndërsa ka theksuar nevojën për forcimin e kësaj zyre diplomatike.

