Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale gjatë gjashtë viteve të fundit, duke vlerësuar se shifrat e larta të planifikuara në buxhet po përdoren për krekosje publike.
“Kjo qeveri po e mashtron veten dhe publikun me buxhet të madh të planifikuar për investime kapitale. Shifrat e larta të buxhetit po përdoren vetëm për krekosje me rastin e miratimit të buxhetit në Kuvend. Kur po vjen koha për të raportuar në Kuvend për realizimin e buxhetit, asnjë anëtar i qeverisë nuk del para deputetëve dhe qytetarëve të përgjigjet për dështimet në realizimin e projekteve”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.
Ai tha se në gjashtë vitet e fundit realizimi i investimeve kapitale ka qenë shumë i ulët, duke përmendur një sërë projektesh të trashëguara nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk janë përfunduar.
“Në gjashtë vitet e fundit, realizimi i investimeve kapitale ka qenë tejet i ultë. Asnjë nga projektet e mëdha kapitale të trashëguara nga qeveritë paraprake dhe të nisura para vitit 2021 nuk është realizuar, përfshirë këtu autostradën e Gjilanit, rrugën për Pejë, rrugën për Mitrovicë, rrugën për Podujevë, rrugën Dollc-Gjakovë, rrugën Prizren-Gjakovë etj.”, shkroi deputeti i LDK-së.
Hoti kritikoi edhe mosrealizimin e projekteve të premtuara nga Qeveria aktuale, duke përmendur rrugën dhe tunelin Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës dhe aeroportin e Gjakovës.
“As projektet e premtuar nga kjo qeveri nuk janë realizuar, përfshirë këtu: rrugën dhe tunelin Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës, aeroportin e Gjakovës, çerdhet për fëmijë, banesat sociale, digat për akumulime dhe projekte të tjera”.
Duke folur për buxhetin e vitit 2027, Hoti vuri në pikëpyetje besueshmërinë e shifrave të planifikuara për investime kapitale.
“Kështu që, askush nuk beson më në shifrat e larta të investimeve kapitale të parapara në buxhetin e vitit 2027”, shkroi ai.
Deputeti i LDK-së tha se realizimi i ulët i investimeve kapitale nuk është penguar as nga procedurat e prokurimit, të cilat tha se në shumë raste janë zhvilluar përmes negocimit.
“Realizimi i buxhetit për investime kapitale ka mbetur i ulët edhe pse procedurat e prokurimit janë kryer në shumë raste përmes negocimit, siç dëshmohet me qindra e mijëra tenderë njëburimorë apo me negocim”, shkroi Hoti.
Në fund, ai ka theksoi se mosrealizimi i projekteve kapitale ka pasoja ekonomike dhe sociale për qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.
“Pasojat ekonomike dhe sociale nga mos-realizimi i projekteve kapitale po i bartim të gjithë. Kolonat e gjata nëpër rrugë në ndërtim e sipër tash e gjashtë vite po i kushtojnë secilit kohë dhe shpenzime. Mos-realizimi i investimeve kapitale e kanë lënë ekonominë e Kosovës pa qindra miliona euro në qarkullim, mjete që do të krijonin efekte zinxhirore pozitive në ekonomi”.

