Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar se Kosova, ndonëse po shënon rritje ekonomike, vazhdon të mbetet prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për nga madhësia e ekonomisë dhe GDP-ja për kokë banori.
Në një analizë krahasuese të ekonomive të rajonit, të bazuar në të dhënat dhe projeksionet e institucioneve ndërkombëtare për vitin 2026, AKB-ja ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës vlerësohet në rreth 14.15 miliardë dollarë.
Në krahasim me Kosovën, ekonomia e Serbisë vlerësohet në 111.2 miliardë dollarë, e Bosnjë e Hercegovinës në 37.26 miliardë, e Shqipërisë në 32.77 miliardë, e Maqedonisë së Veriut në 21.24 miliardë dhe e Malit të Zi në 10.12 miliardë dollarë.
Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova mbetet gjithashtu në nivelin më të ulët në mesin e gjashtë ekonomive të rajonit sa i përket GDP-së nominale për kokë banori, me rreth 8 mijë e 900 dollarë.
Megjithatë, sipas AKB-së, Kosova pritet të shënojë rritje reale ekonomike prej 3.6 për qind gjatë vitit 2026, bazuar në projeksionet e Bankës Botërore.
Kjo rritje, sipas kësaj organizate, nuk duhet ngatërruar me fuqinë reale të ekonomisë, madhësinë e prodhimit, produktivitetin dhe nivelin e mirëqenies.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se sfida kryesore e Kosovës nuk është vetëm rritja e GDP-së, por shndërrimi i saj në zhvillim të qëndrueshëm, prodhim vendor dhe konkurrueshmëri ekonomike.
Ai ka kërkuar nga institucionet që politikat ekonomike të orientohen drejt rritjes së prodhimit vendor, zgjerimit të eksporteve, nxitjes së investimeve, sigurimit të energjisë së qëndrueshme dhe rritjes së produktivitetit.
AKB-ja ka theksuar gjithashtu se eliminimi i gjysmës së barrierave të mbetura tregtare në rajon mund të rrisë GDP-në deri në 12.5 për qind në periudhën afatmesme, duke iu referuar vlerësimeve të Bankës Botërore.
Në reagim, kjo organizatë ka kërkuar një partneritet ndërmjet Qeverisë, institucioneve dhe sektorit privat për hartimin e një programi zhvillimor deri në vitin 2030.
“ Kosovës i duhet më shumë prodhim, më shumë eksporte, më shumë investime dhe më shumë produktivitet”, ka thënë Shahini, duke shtuar se vendi duhet të kalojë nga ekonomia e konsumit dhe importit drejt një ekonomie të prodhimit, eksportit dhe konkurrueshmërisë.

