Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është përballur me fluks të jashtëzakonshëm pacientësh gjatë fundjavës.
Sipas drejtorit të kësaj klinike, Naser Syla, vetëm gjatë dy ditëve të fundjavës janë trajtuar 1 mijë e 67 pacientë, shifër kjo që, sipas tij, është dukshëm më e lartë krahasuar me muajt e fundit dhe vitet e kaluara.
“Për dy-tre muajt e fundit janë kaluar të gjitha normat e mundshme në krahasim me vitet e kaluara, në një numër enorm”, ka deklaruar Syla.
Megjithatë, nga 1 mijë e 67 pacientët e trajtuar gjatë fundjavës, vetëm 86 prej tyre kanë vazhduar trajtimin spitalor në klinikat përkatëse të QKUK-së. Pjesa tjetër janë liruar për në shtëpi.
Syla thotë se, sipas standardeve, në Emergjencë do të duhej të trajtoheshin kryesisht pacientët që kanë nevojë për trajtim spitalor.
Në përpjekje për të zbutur ngarkesën e stafit, QKUK/ShSKUK ka nisur një praktikë të re, duke angazhuar me pagesë specialistë të rinj të emergjencës, por vetëm për kujdestari.
Nga kjo mundësi deri më tani kanë përfituar 12 specialistë, ndërsa ende nuk dihet se sa gjatë do të vazhdojë ky angazhim.
Drejtuesit e Klinikës Emergjente e lidhin fluksin e madh të pacientëve edhe me mungesën e Spitalit të Prishtinës. Si faktor tjetër përmendet edhe mosshfrytëzimi i mjaftueshëm i shërbimeve të kujdesit parësor dhe spitaleve të përgjithshme rajonale nga qytetarët.
Televizioni ka raportuar në të kaluarën se lista zyrtare e shërbimeve mjekësore në spitalet e përgjithshme dhe QKUK do ta evitonte këtë problematikë. Pra, ky dokument bazik që do t’i definonte shumë gjëra ende mungon në ShSKUK.

