Konferenca vjetore e Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, ka nisur në Antalia të Turqisë, me synimin për të gjetur zgjidhje konkrete ndaj ngrohjes globale, por që në orët e para të saj negociatat janë përballur me mosmarrëveshje për financimin e masave klimatike.
Ceremonia e hapjes u shty me një orë, ndërsa delegacionet vijuan diskutimet për arritjen e një marrëveshjeje mbi axhendën e negociatave që do të zgjasin dy javë. Një nga çështjet kryesore të debatit është kërkesa e vendeve afrikane për trefishimin e fondeve për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat konsiderohen jetike për shtetet më të prekura nga thatësirat, përmbytjet dhe rritja e nivelit të detit.
Ndërkohë, vendet evropiane kanë shfaqur rezerva për përfshirjen e angazhimeve të reja financiare në axhendë. Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka deklaruar se aktualisht mungon vullneti politik për financime shtesë.
Samiti zhvillohet në një vit të shënuar nga katastrofa të shumta klimatike, përfshirë përmbytjet në Nepal, valët e të nxehtit në Evropë dhe zjarret në Indonezi. Situata ndërlikohet edhe nga kriza energjetike, e ndikuar nga lufta në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike të shumë shteteve. Një tjetër objektiv i rëndësishëm i konferencës është elektrifikimi i ekonomisë.
Turqia synon që vendet të bien dakord për rritjen e pjesës së energjisë elektrike në konsumin global të energjisë në 35% deri në vitin 2035, nga rreth 20% që është aktualisht. Megjithatë, propozimi mund të shkaktojë përplasje, pasi Bashkimi Evropian kërkon elektrifikim të mbështetur vetëm në burime të pastra energjie, pa përdorimin e qymyrit, naftës dhe gazit për prodhimin e energjisë elektrike.
Kjo kërkesë mund të kundërshtohet nga vendet që mbështeten ekonomikisht te prodhimi i lëndëve djegëse fosile. Në samit bie në sy edhe mungesa e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, ekonomisë më të madhe në botë dhe emetuesit të dytë më të madh të gazeve serrë pas Kinës.
Negociatat do të drejtohen nga Turqia me mbështetjen e Australisë, ndërsa një nga sfidat kryesore mbetet arritja e një kompromisi mes vendeve me interesa të ndryshme.
Në qendër të diskutimeve do të jenë tre shtyllat e Marrëveshjes së Parisit: përshtatja ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike, reduktimi i emetimeve dhe financimi i masave për mbrojtjen e planetit.

