Tre persona janë arrestuar të martën në Prizren, nën dyshimin për veprën penale “Fajdeja”, pas një operacioni të Policisë së Kosovës të zhvilluar pas një hetimi përmes masave të fshehta.
Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit. Gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, ai nuk është ndalur me automjet dhe ka vazhduar ikjen.
Gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur një 17-vjeçare, e cila, sipas mjekëve, ka pësuar lëndime, por është jashtë rrezikut për jetë.
Po ashtu, ai ka goditur edhe një hetues policor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore. Pas veprimeve të policisë, i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar.
Policia ka bërë të ditur se gjatë arrestimit të të dyshuarit kryesor janë gjetur edhe para të dyshuara se janë dhënë për qëllime të simulimit, të cilat janë sekuestruar. Rasti po hetohet në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndërsa policia është duke ndërmarrë veprime të tjera për dokumentimin e plotë të veprës penale dhe rrethanave të ndërlidhura me rastin.
Deklarata e plotë e Bytyqit:
Sot, më 18 gusht 2026, pas një hetimi të zhvilluar përmes aplikimit të masave të fshehta të hetimit, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, kanë zhvilluar një operacion policor.
Gjatë realizimit të operacionit janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Fajdeja”, nga neni 331 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, i dyshuari nuk është ndalur me automjet dhe ka vazhduar ikjen. Gjatë ikjes, i njëjti ka goditur një këmbësore, femër, 17-vjeçare, e cila, sipas vlerësimit të mjekëve, ka pësuar lëndime dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Po gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur edhe një zyrtar policor – hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore. Pas veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, i njëjti është ndaluar dhe arrestuar.
Gjatë arrestimit të të dyshuarit kryesor janë gjetur edhe para të dyshuara se janë dhënë për qëllime të simulimit, të cilat janë sekuestruar për procedurë të mëtejshme hetimore.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprime të tjera hetimore lidhur me rastin, me qëllim të dokumentimit të plotë të veprës penale dhe rrethanave të tjera ndërlidhëse.
Ky operacion është realizuar edhe falë besimit dhe bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës.
Policia e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me përkushtim dhe profesionalizëm, të ndërmarrë veprime dhe operacione të tilla, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave penale dhe sigurimit të rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët, në mënyrë të barabartë dhe pa dallim.
Pas përfundimit të operacionit, do të vazhdohet me procedurat e mëtejshme penale, në përputhje me udhëzimet e Prokurorit të Shtetit dhe dispozitat ligjore në fuqi.

