Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
IPK ka nisur hetimin pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike të 11 gushtit lidhur me pretendimet e një qytetari me inicialet N. R. për tejkalim të autorizimeve policore gjatë një operacioni në Dren të Zubin Potokut.
Hetimi paraprak ishte bërë publik më 12 gusht, ndërsa IPK ka njoftuar më 18 gusht se pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve. Inspektorati ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve të përfshirë.
IPK ka theksuar se hetimi nuk paragjykon rezultatin përfundimtar të rastit, ndërsa Departamenti i Hetimeve do të vazhdojë mbledhjen dhe vlerësimin e provave në përputhje me mandatin ligjor.
Rasti ka të bëjë me qytetarin serb Nenad Rashkoviq, i cili më pas kishte shkuar për trajtim mjekësor në Beograd, ku rasti i tij u përdor nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

