Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 gusht 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Sinisha Spasiqit, i cili ngarkohet se mori pjesë në ofensivën ushtarake serbe në fshatin Reznik të Vushtrrisë më 4 prill 1999, dhe bashkë me pjesëtarë të tjerë të armatosur, vranë anëtarët e familjes Ujkani.
Aktakuza ndaj Spasiqit u ngrit me propozim për vazhdim të paraburgimit, masë në të cilën ndodhet nga gushti i vitit të kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Sinisha Spasiq i njohur me nofkën “Krcko” akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 4 prill 1999, rreth orës 15:00 në fshatin Reznik të Vushtrrisë, në bashkëpunim edhe me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, së bashku me të akuzuarin Slagjan Trajkoviq (tani i dënuar nga shkalla e parë) dhe disa persona të tjerë të paidenfitikuar, i armatosur dhe i veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, gjatë një aksioni nga këto forca, me qëllim të vrasjes së banorëve të pafajshëm civilë shqiptarë, fillimisht këto forca u vendosën në shtëpinë e Shaip Zenelit, të cilën shtëpi policia dhe ushtria serbe po e shfrytëzonin si shtab dhe nga aty merrnin urdhrat nga i akuzuari Zoran Kostiq (tani i dënuar nga shkalla e parë).
Aktakuza thotë se pasi merrnin urdhrin nga Kostiqi, filluan duke plaçkitur, djegur shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Reznik, duke hyrë në shtëpitë e tyre dhe vranë anëtarët e familjes Ujkani (I.U., M.U., me bashkëshorte, B.U., kurse F.U., dhe S.U., i dogjën për së gjalli. F.U., po ashtu e vranë në ditën kritike, si dhe T.U., me bashkëshorten H.U., dhe pas vrasjes së tyre, ua vënë flakën shtëpive dhe dogjën disa prej vitimave.
Në aktakuzë thuhet se të njëjtit persona, vazhduan së bashku me të pandehurin Spasiq të armatosur dhe disa nga ta të përgjakur me rrobat e trupit shkuan në shtëpinë e Naim Ujkani, ku hyjnë në oborr dhe takojnë B.U., të cilës në fillim i kërkojnë para, e që ajo ua dha rreth 300 DM dhe posa marrin paratë, me dhunë e dërgojnë në katin e dytë të shtëpisë, të cilën e mbajnë përafërsisht një orë duke e rrahur me grushta, shqelma, duke e goditur vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas aktakuzës, nga këto goditje, pos lëndimeve trupore, B.U., ia thyejnë dhëmbët, kurse Naim dhe Xhevahire Ujkani, i vendosin në dhomën e katit të parë të shtëpisë, duke mos i lejuar që të dalin nga dhoma, kurse i pandehuri Sinisha i armatosur tërë kohën qëndron tek dera e shtëpisë duke i ruajtur Naim dhe Xhevahire Ujkanin duke mos i lejuar të dalin nga dhoma. Aty thuhet se në atë moment Xhevahirja alivanoset pasi që nuk dëgjon më zërin e vajzës së vet B.U., duke menduar se e kanë vrarë. Më pas, thuhet se B.U., e zbresin nga kati i dytë duke e rrahur tërë kohën dhe e dërgojnë tek shtëpia e Agim Ujkanit.
Me këto veprime, Sinisha Spasiq akuzohet se ka kryer veprat penale “Krime lufte kundër popullatës civile” e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 146 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

