Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka dërguar sërish letër kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, duke i kërkuar edhe një herë tjetër që ta thërrasë vazhdimin e seancës.
Çitaku i ka kërkuar Deharit që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër në orën 11:00.
“I nderuar z. Dehari, Në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në përputhje me Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që, më 20 gusht 2026, në ora 11.00, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e PDK-së dërguar Deharit.
Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar “tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letër. “Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”.
“Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij. Prandaj, duke e thirrur vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të radhës dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e PDK-së.
Deharit, i cili ka bërë thirrje që partitë të merren vesh për Presidentin, PDK-ja i tha se roli i tij është tjetër.
“Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit. Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike dhe ato mund e duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”, thuhet në letrën e PDK-së.
“Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht 2026, në ora 11.00, dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të letrës dërguar Deharit.


Me kërkesë të kryeministrit në detyrë, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideron të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.
LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

