Ish-presidenti, Hashim Thaçi ka shmangur komentet për qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Në intervistën për Debat Plus, Thaçi është pyetur nëse do ta priste Kurtin në rast se ai do të shprehte vullnet për ta vizituar në Hagë.
“Nuk deklarohem për situata hipotetike”, ka thënë Thaçi.
I pyetur se si e konsideron faktin që Kurti nuk ka vizituar asnjërin prej katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Thaçi është përgjigjur:
“Nuk dua të merrem me disponimet apo sjelljet e të tjerëve.”
Thaçi ka zgjedhur të mos japë koment të drejtpërdrejtë as për qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara.
“Nuk kam koment”, ka thënë ai kur është pyetur për këtë çështje.
Në të njëjtën intervistë, Thaçi është pyetur edhe për praninë e ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në sallën e gjyqit.
“Kishte shumë njerëz në galeri. Vëmendjen e kisha tek familjarët që ishin ulur në një hapësirë më të dukshme. U përshëndeta nga distanca me të gjithë”, ka deklaruar ai.

