Shërbimi gjerman i inteligjencës beson se një arsenal armësh i gjetur vitin e kaluar në një zonë pyjore pranë Berlinit ishte destinuar për kryerjen e atentateve në emër të Rusisë.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, tha se prokurorët federalë po hetonin një të dyshuar në Rumani, nën dyshimet për spiunazh dhe “përgatitjen e një akti të rëndë dhune që kërcënon shtetin”.
Duke refuzuar të konfirmojë raportimet për lidhje ruse me arsenalin, Dobrindt tha se nuk mund të përjashtohej “përfshirja e fuqive të huaja”.
Për muaj me radhë, agjencitë e sigurisë kanë paralajmëruar se shërbimet ruse të inteligjencës po planifikojnë atentate në Gjermani, që mund të kenë në shënjestër drejtues të industrisë së mbrojtjes ose figura të opozitës në mërgim.
Dobrindt tha se në tetorin e kaluar, agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme kishte marrë informacione për një arsenal të mundshëm armësh në një zonë pyjore në periferi të Berlinit.
Zyrtarët e lokalizuan arsenalin me ndihmën e Policisë së Landit të Berlinit dhe gjetën dy pistoleta dhe municion.
Autoritetet gjermane të sigurisë dyshojnë se armët dhe municioni e gjetur ishin destinuar për përdorim në sulme.
Raportimet e gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung dhe transmetuesve publikë NDR dhe WDR thonë se arsenali ishte krijuar për të lehtësuar vrasje të planifikuara në emër të Moskës.
Dobrindt tha se, pasi armët u bënë të papërdorshme, arsenali u mbajt nën vëzhgim për muaj të tërë, por askush nuk u pa duke iu afruar.
“Ky rast tregon se po veprojmë në një nivel të lartë kërcënimi”, tha Dobrindt.
Ministri tha se prokurorët po hetonin një të dyshuar në Rumani, i cili po mbahet në lidhje me sulme të planifikuara me bomba të vendosura në pako. Ai tha se kjo do të merret parasysh në rast të një ekstradimi të mundshëm.
Ai e përshkroi të dyshuarin si një “agjent të nivelit të ulët” dhe nuk pranoi të bëjë të ditur shtetësinë e tij.
Sipas tij, gjatë këtij viti janë arrestuar disa operativë të ngjashëm, përfshirë një person nga Kazakistani.
Hetimi vjen pas akuzave të mëparshme për sulme ruse në territorin gjerman.
Në vitin 2024, figura politike gjermane reaguan ashpër ndaj një raportimi të CNN-it se Rusia kishte planifikuar vrasjen e drejtuesit të kompanisë më të madhe gjermane të prodhimit të armëve, Rheinmetall, Armin Papperger, raporton BBC

