Krim për xhelozi duket se është arsyeja e vdekjes së dy personave në lagjen Nea Zmirni të Athinës.
Sipas burimeve të Top Channel të siguruara nga korrespondenti Artur Bibe, dy viktimat dyshohet se janë shqiptarë. Viktima 45-vjeçare, sipas policisë ka kartë identiteti greke, por ka lindur në Shqipëri dhe është identifikuar si Lulieta Obzova.
Burimet thanë se çifti pati një sherr jashtë hyrjes së pallatit dhe në vazhdim burri 50-vjeçar nxori një pistoletë dhe shtiu disa herë me të mbi gruan 45-vjeçare, duke e lënë të vdekur në vend në korridorin e ndërtesës.
Pak më vonë, me të njëjtën armë i dha fund edhe vetes, duke u qëlluar në kokë. Arma u gjet nën trupin e viktimës, ndërsa mjeku ligjor që këqyri trupat tha se bëhet fjalë për ekzekutim dhe vetëvrasje.
Në pallatin ku u gjetën viktimat ka kamera sigurie, të cilat kanë filmuar ngjarjen, ndaj tashmë policia nuk ka asnjë dyshim për autorësinë e ngjarjes.
Mësohet se në zonë banonte vajza e 45-vjeçares, ndërsa deri tani nuk rezulton se bëhet fjalë për bashkëshortë, por për një lidhje me gjasa erotike që përfundoi me aktin ekstrem të vrasjes.

