Në varret masive në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të 23 personave që dyshohet se janë të grupit prej po aq personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
13 prej tyre janë gjetur në lokacionin e parë, mes Kalludrës së Madhe dhe të Vogël, 4 prej tyre në Jabukë ndërsa 6 mbetje mortore janë gjetur në lokacionin tjetër, në Kalludër.
Kështu bëri të ditur sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në prezantimin e raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet në Komunën e Zubin Potokut.
Shefi i qeverisë në detyrë tha se tashmë ka nisur faza e identifikimit të këtyre mbetjeve mortore pasi janë dërguar për analiza të AND-së.
“Në varrin masiv ndërmjet Kalludrës së madhe dhe të vogël, sipas vlerësimeve të ekspertëve, mbetjet mortore të gjetura dhe të zhvarrosura u përkasin së paku 13 personave. Në varrin masiv në Jabukë, përkatësisht në lokacionin e dytë, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave. Dhe në lokacionin e tretë, përkatësisht varrin tjetër masiv në Kalludër, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore të së paku gjashtë personave”, tha ai. “Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të identifikimit, pasi veçse janë marrë dhe dërguar për analizë të ADN-së mostrat e mbetjeve që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në fshatin Jabukë. Ndërsa për të tjerët po vazhdon procesi paraprak i ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.
Ai tha se numri 23 përkon me grupin e po kaq intelektualëve, që më 19 prill 1999 u ndaluan, rrëmbyen dhe sipas tij, u pushkatuan nga forcat e Serbisë.
E kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani tha se në këtë zonë ishin bërë kërkime edhe më herët, por që ato, sipas tij, nuk kishin dal të suksesshme, si gërmimet e muajit të fundit.

