‘‘Keni shkuar në Serbi pas Banjskës’’ – Riparimi i vagonëve që përplasi Aleancën me VV’në

by Nexhat

Një postimi i ish-deputetit të Aleancës, Daut Haradinaj, lidhur me riparimin e disa vagonëve ka nisur një përplasje në skenën politike. Në dokumentin e publikuar nga Haradinaj, kuptohej se riparimi i vagonëve ishte bërë në Serbi, gjë për të cilën disa anëtarë, nga Trainkos kishin shkuar në shtetin serb për t’i testuar vagonët e riparuar.

Pas postimit të Haradinajt, kanë vazhduar edhe anëtarë të tjerë të kësaj partie të kritikojnë pushtetin. Është deputeti i ri i Aleancës, Burim Ramadani, ai i cili e ka cilësuar ‘’të tmerrshme’’ faktin që zyrtarë shtetëror kanë shkuar në Serbi pas sulmit në Banjskë

banner

‘‘Zyrtarë shtetëror kanë shkuar në Serbi pas sulmit në Banjskë. Kjo është e tmerrshme. Pikë! Bëni manipulime e lojë fjalësh sa të doni për të mashtruar njerëzit, sikurse e keni zanat. Por, një gjë është me dëshmi:

    • Pas sulmit në Banjskë, pas vrasjes së heroit Afrim Bunjaku, ju keni shkuar në Serbi! Çka ka më të qartë se kaq?! Serbia është shtet armiqësor. Ka sulmuar Kosovën më 24 shtator 2023, përmes Grupit Paramilitar. Ju pas kësaj keni shkuar në Serbi! Këtë as s’po tentoni ta mohoni’’, ka shkruar ai.

Ka qenë edhe deputetja Time Kadrijaj, ajo që VV’ja e ka ‘’shpërblyer Serbinë me gjysme milioni’’ për renovimin e vagonëve, në vend që, t’i vendos asaj taksë 100%.

“Pas betejës ose pas sulmit të Banjskës, qeveria, në mënyrë që t’i vendoste taksë 100% sikurse i pati vendosur zotëri Ramush Haradinaj, ata e shpërblejnë Serbinë me gjysmë milioni për renovimin e vagonëve. Dhe ndërsa këtu flasin dhe akuzojnë të tjerët që kanë bashkëpunuar… Jo, jo! Ju po bashkëpunoni me Serbinë edhe Albin Kurti po bashkëpunon me Serbinë”, ka thënë në një konferencë për media Kadrijaj.

Në anën tjetër, Artane Rizvanolli ministre në detyrë e Ekonomisë, duke reaguar ndaj kritikave të Aleancës, fillimisht, ka kritikuar këtë parti duke thënë se riparimi i vagonëve ishte bërë edhe në kaluarën, gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt.

‘‘Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të Qeverisë Haradinaj, nga Ministri Pal Lekaj. A ka qenë AAK-ja e bregosur për këtë çështje në vitin 2017 kur Ministri i tyre e prente shiriti n për vagonët e riparuar në Serbi?’’, ka shkruar ajo.

Pas kësaj, Rizvanolli ka bërë edhe dy reagime të tjera, duke ndarë deklarimin e vet Trainkosit, dhe, pastaj edhe një postim të sajin ku, mes tjerash, aludohet se ministria e Trainkosi s’kanë qenë në dijeni se ku janë riparuar vagonët, pasi që, përzgjedhja e nënkrontraktorit në Serbi është bërë nga kompania që ka fituar tenderin për rregullimin e  vagonëve.

‘’ Trainkos ka shpallur tender të hapur për rehabilitimin e vagonëve në të cilin ka aplikuar vetëm një kompani kosovare me seli në Prishtinë, e cila edhe e ka fituar tenderin. Përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi. Në fakt, sipas ligjit aktual të Prokurimit Publik, ndërmarrja publike nuk mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve. Operatori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët’’, ka shkruar Rizvanolli.

Pas deklarimit nga ana e kësaj të fundit, ndaj ministres kanë reaguar sërish nga Aleanca. Ramadani, ka thënë se ‘’manipulimi nuk kalon’’, duke shtuar se, ‘’legjislacioni i prokurimit publik nuk lejon ‘’nënkontraktim anonim’’.

‘’E keni ditur se pas Banjskës vagonat dhe paratë shkojnë në Serbi!  E vërteta është e padilemë. Manipulimi nuk kalon. Legjislacioni i prokurimit publik në Kosovë nuk lejon “nënkontraktim anonim”. Autoriteti Kontraktues (QEVERIA) nuk mund të pretendojë se “nuk e ka ditur” se kush është nënkontraktori, pasi verifikimi i emrit dhe dokumentacionit të tij është hap procedural i obligueshëm ligjor gjatë vlerësimit të tenderit.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurorimin Publik, Neni 30 Nën-kontraktimi, Tenderuesi duhet të tregojë në tenderin e tij ndonjë pjesë të kontratës që ai ka për qëllim të nënkontraktojë palë të treta dhe secilin nënkontraktues të propozuar. Ndërsa, Neni 17 i Rregullores për Prokurimin Publik, paragrafi 19 e obligon aplikuesin të tregojë nënkontraktorin se kush është ne dosje të aplikimit për tender’’, ka shkruar Ramadani.

Përveç përplasjeve mes Aleancës e VV’së, reagim ka pasur edhe nga Trainkos. Nga këta të fundit është thënë se riparimit është bërë përmes tenderit të hapur, dhe se, tenderi është fituar nga  kompania vendore “Profitech Sh.P.K” me seli në Prishtinë.

Tutje shtohet se, Trainkos ka dërguar pyetje tek kjo kompani për të marr informata, nga të cilët është thënë se arsyeja e dërgimit të vagonëve në Serbi, është sepse ‘’vetëm ata mund t’i rregullojnë këta vagonë’’, dhe se këta vagonë ‘’nuk mund të rregullohen diku tjetër’’.

‘’Megjithatë, ndërmarrja do të realizojë një vlerësim të pavarur për të rishikuar nëse këto punime mund të realizohen edhe nga operatorë në shtete të tjera dhe, në rast që vlerësohet se kjo është e mundur, do të shqyrtohen opsionet për ta trajtuar brenda kornizës ligjore’’, thuhet mes tjerash në reagimin e Trainkos.

Ndryshe, në dokumentin e Haradinajt, kuptohet se tre anëtarë të komisionit të Trainkosit, kanë udhëtuar për në Serbi me datën 06.10.2024, për testimin e vagonëve të riparuar atje.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy