Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj ka kujtuar prijësin dhe strategun Ismet Jashari, në 28-vjetorin e rënies së tij heroike.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Jashari ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë në mbarë Kosovën.
Fakti se për çlirimin e Kosovës luftonin edhe djemtë nga Kumanova, Tetova dhe nga gjitha trojet shqiptare, Haradinaj theksoi se përforconte moralin e trimave të UÇK-së.
“Në përvjetorin e rënies së tij, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, që me krenari mbajti emrin e komandant Kumanovës. Kujtojmë betejat dhe përpjekjet e kësaj brigade të lavdishme, në mbrojtje të pozicioneve të luftës dhe popullatës së zhvendosur në Malet e Berishës dhe dëshmorët që ranë në ofensivat e gushtit; Habib Zogaj, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj, dhe Zenun Mataj. Të paharruar në kujtimin e brezave. Lavdi!”, ka shkruar ai.

