Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku thanë pas një takimi në Kuvend para një jave se do të flisnin me partitë e tyre për Presidentin e ri, përpara se të takoheshin sërish për të vënë në tavolinë emra konkretë. Që nga ajo ditë, ata nuk u takuan më.
Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku para një jave iu rikthyen takimeve për çështjen e Presidentit, por që atëherë, ata nuk janë ulur më përballër njëri-tjetrit.
Nuk pati asnjë tregues se Kurti dhe Abdixhiku i vazhduan diskutimet në forma të tjera, apo nëse zhvilluan ndonjë takim të ri, të paparalajmëruar, që prej të martës së javës së kaluar.
LVV-ja dhe LDK-ja deri në publikimin e këtij artikulli nuk iu përgjigjën interesimit të Gazetës Express nëse pritet të zhvillohet ndonjë takim i ri mes dy liderëve.
Kurti dhe Abdixhiku pasditen e 18 gushtit zhvilluan takimin e radhës, të parin prej kur LDK-ja më 13 gusht hoqi dorë nga bisedimet për t’u përfshirë në bashkëqeverisje me LVV-në dhe nga kërkesa për pozitën e shefit të shtetit.
Pas takimit për ta gjetur një emër konsensual jopartiak për President, u tha se dy liderët kishin diskutuar për profilin potencial që do të duhej ta kishte kreu i ri i shtetit, duke paralajmëruar se në takimin e ardhshëm do të flisnin për emra konkretë.
Kurti tha pas atij takimi se pa “vullnetin e LDK-së” për t’i sjellë vendit një president të ri.
“Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha ai.
Tha se kishin diskutuar “hollësisht” dhe “thellësisht” për “kriteret që duhet t’i ketë figura presidenciale” dhe “sektorët e ndryshëm të shoqërisë dhe profesioneve”. Por, meqë “është proces shumë i ndjeshëm”, Kurti tha se nuk mund të fliste më shumë se kaq, “pa shkuar në konsultime te subjektet tona”.
“Nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”, tha ai.
Abdixhiku, ndërkaq, tha se ishin dakorkuar që në takimin e ardhshëm të shkonin “me emra konkretë”.
“Nuk duam një president të parëndësishëm por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrë e vet para se të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifikë, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme por në fund të ketë një emër”, tha ai.
Sikurse Kurti, Abdixhiku deklaroi se në atë takim kishin diskutuar “me vullnet të mirë për kriteret dhe profilin potencial të presidentit apo presidentes së ardhshme të Republikës së Kosovës”.
“Ka vullnet të dyanshëm rreth këtij profili se si duhet të duket. Këto kritere janë të qarta; një president që e do Republikën, e mbron Republikën, e ushtron demokracinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi vonë shumë, çështja e presidentit duhet ta lirojë Kosovën. Nuk kemi folur për emra”, tha ai.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 qershorit, të cilat u mbajtën për shkak të moszgjedhjes së Presidentit brenda afatit kushtetues, ende nuk është konstituuar Kuvendi.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi tha se do të ishte e padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.
LVV-ja thotë se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.

