Vdekja e Eqrem Kryeziut, Haxhiu ngushëllon familjen: Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar

by Nexhat

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Kryeziu me rastin e ndarjes nga jeta të Eqrem Kryeziut.

“Me vdekjen e tij, Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar të një brezi që angazhimin për vendin e ndërtoi mbi dije dhe përgjegjësi”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.

banner

Ajo ka theksuar se Eqrem Kryeziu ishte para së gjithash profesor dhe njeri i letrave dhe se për më shumë se pesë dekada jeta e tij ishte e lidhur me librin, arsimin dhe dijen.

“Edhe në politikë mbeti njeri me mendim të vetin, i drejtpërdrejtë në fjalë, me ironi të hollë dhe me një mënyrë të veçantë të të shprehurit, për të cilën publiku e njohu dhe e mbajti mend”, ka thënë U.D. Presidentja.

Sipas saj, emri i Eqrem Kryeziut mbetet veçanërisht i lidhur me Prizrenin, ku për shumë vite ishte pjesë e jetës politike të qytetit dhe të cilin e udhëhoqi si kryetar në vitet e para të qeverisjes lokale të pasluftës.

“Kontributi i tij vazhdoi edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, por figura e Eqrem Kryeziut nuk përmblidhet në funksionet që mbajti. Do të kujtohet si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar me individualitet të spikatur, që la gjurmë në jetën politike e kulturore të Kosovës”, thuhet në telegram.

U.D. Presidentja Haxhiu i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Prizrenit dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan Prof. Dr. Eqrem Kryeziun.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Eqrem Kryeziun”, ka shkruar U.D. Presidentja Haxhiu.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy