Fatmir Sheholli kishte pranuar vetë se kishte punuar në UDB-në në vitet ’90, por sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, veprimtarinë e tij në shërbim të Serbisë e ka vazhduar deri në tetor të vitit të kaluar, kur u prangos. Shërbimi i tij për shtetin serb, sipas një aktakuze të dorëzuar nga Prokuroria Speciale, përfshin zbatimin e planeve serbe për zbrazjen e Kosovës përmes islamizimit e ndërhyrjen në zgjedhjet lokale në vend, duke krijuar “rrezik edhe për sigurinë dhe integritetin e qytetarëve të Kosovës”. Përmasat e plota të dëmeve për vendin të cilat përmenden në dosjen e Prokurorisë, ndoshta do të dihen vetëm gjatë procesit gjyqësor.
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka paraqitur aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar nën dyshimin se ka spiunuar për Serbinë “nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025” dhe se e ka shantazhuar një person për një shumë prej mbi 13 mijë eurosh.
Vetë Sheholli, i prezantuar si drejtor në një organizatë joqeveritare me emrin “Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike”, i ka thënë kësaj propkurorie pas arrestimit se kishte punuar për Drejtorinë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB) “nga vitet 1990 e deri më 5 maj 1993”.
61-vjeçari nga Podujeva paraqitet në dosjen e Prokurorisë si njeriu i rekrutuar i Serbisë i cili e ka cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës. Ai thuhet se i raportonte Bojan Dimiqit, drejtor i Drejtorisë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), nga i cili merrte materiale ose mjete financiare, të cilave, gjatë bisedave me të, u referohej me kode si “turshi” dhe “kumbulla”.
Një numër provash paraqiten në aktakuzën që prokurori Bekim Kodraliu ia paraqiti Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ato, siç thuhet në aktakuzë, dëshmojnë “pa mëdyshje” dhe “përtej dyshimit të bazuar mirë” për fajësinë e Shehollit.
Sheholli akuzohet se zyrtarit të BIA-s i ka siguruar, mbledhur dhe përcjellur, përmes mesazheve telefonike, të dhëna, informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitete politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Zbrazja e Kosovës përmes islamizimit
Në telefonin e Shehollit është gjetur, ndër tjerash, një dokument me mbishkrimin “Top sekret 2”, i shkruar në serbisht. Aty thuhet se shumica e fondeve të mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive dhe shkollave islamike (medrese) në të gjithë Kosovën.
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen. Pranë xhamive, shkollat islamike (medresetë) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmijë dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral Jankovic, Kaçanik, Dragash dhe Prizren”, thuhet në këtë dokument.
Tutje, aty përmendeshin njerëz të etnive të ndryshme në Ballkan që do të ishin “të gatshëm” të punonin në këtë dhe “të aktivizohen në Islam”.
Në dokument thuhet se udhëheqësit e bashkësive islame në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut janë “nën kontrollin tonë”.
“Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim në Sport, media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami”, thuhet në atë dokument.
Sipas dokumentit, në vendet perëndimore janë deleguar njerëz të BIA-s nga bashkësitë islame të Kosovës dhe Sanxhakut, të cilët pretendohet se janë nën “urdhrat e ambasadave tona (të Serbisë) në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë”.
“Me këtë do te arrijmë që t’i ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën”, thuhet në dokument.
“Poshtë” në Kosovë, thuhet në dokument, “duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame”.
“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”, thuhet në këtë dokument “top sekret”.
Kur kjo të arrihet, “Serbia do ti ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi”, sipas dokumentit.
“Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”, thuhet në këtë dokument, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
“Plani operativ” i Serbisë për rekrutimin e Albin Kurtit
Në një dokument tjetër të gjetur në telefonin e Shehollit, Prokuroria tha se përmendet kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Dokumenti i referohet një “plani operativ” të Serbisë gjatë kohës sa ai mbahej në burgjet serbe, nga viti 1999 deri në fund të vitit 2001.
Kjo provë, Prokuroria tha se “rezulton se bëhet fjalë për një dokument të përpiluar nga struktura të Sigurimit Shtetëror të Serbisë [RDB] në vitin 2001, i cili përshkruan një plan operativ për komprometimin dhe rekrutimin e Albin Kurtit gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgjet e Serbisë”.
“Sipas përmbajtjes së dokumentit, parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën ‘Leptiri’ për sigurimin e materialeve komprometuese, me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj tij për bashkëpunim me RDB-në”, thuhet në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, këtë dokument Sheholli ua ka përcjellur disa personave të ndryshëm, si dhe ka kërkuar që ai të përkthehet nga gjuha serbe në gjuhën shqipe.
“Këto veprime, të vlerësuara së bashku me komunikimet dhe materialet e tjera të evidentuara në telefonin e të pandehurit, janë relevante për të dëshmuar kontaktet, lidhjet dhe bashkëpunimin e tij me persona dhe struktura të ndërlidhura me shërbimet e sigurisë serbe, si dhe rolin e tij në përcjelljen dhe shpërndarjen e materialeve me origjinë nga këto struktura”, thuhet në aktakuzë.
Vetë Sheholli, sipas aktakuzës, ka treguar për prokurorët për prejardhjen e këtij dokumenti, duke dëshmuar se atë ia ka dërguar, përmes telefonit, Bojan Dimiq.
Ndërhyrja në zgjedhje
Për të ndërhyrë në zgjedhjet lokale në Kosovë, Sheholli, sipas aktakuzës, më 26 shtator kishte shkuar në Mitrovicën e Veriut, ku kishte pranuar materiale audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Sipas Prorkurorisë, këto materiale ishin “të destinuara për komprometimin e tyre”. Në Mitrovicën e Veriut, Sheholli akuzohet se kishte marrë një shumë prej 5.000 euro si shpërblim për kryerjen e kësaj detyre dhe “në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-s, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka”.
Zekës, sipas aktakuzës, kishte pranuar 1.000 euro dhe u udhëzua për kohën dhe mënyrën e publikimit të materialeve të tyre në emisionin “Pa Rrotlla” disa ditë para votimit në zgjedhjet lokale.
“Përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktakuzë.
Zeka ka mohuar se ishte në dijeni se materialet ishin të BIA-s, duke pretenduar se pasi e kishte kuptuar këtë nga Policia e Kosovës, i kishte kthyer paratë dhe i kishte larguar materialet nga media e tij.
Shantazhi
Prokuroria Speciale thotë se Fatmir Sheholli nga viti 2022 deri në dhjetor të vitit 2025 e kishte shantazhuar një person me inicialet A.J., pronar i një biznesi në Kosovë, duke e detyruar t’i jepte para. Vlera e këtij dëmi, siç thuhet në aktakuzë, tejkalon 13 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, Sheholli kishte kërkuar para nga ky person në formë huazimi dhe kishte kërcënuar se, nëse nuk ia jepte, do të publikonte në media video dhe informacione që mund t’ia dëmtonin rëndë reputacionin dhe autoritetin.
“Në këtë mënyrë, komunikimi i datës 12.01.2026 paraqet vazhdimësi të veprimeve të të pandehurit në kuadër të shantazhimit të të dëmtuarit dhe dëshmon se masa e paraburgimit nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e tij për ushtrimin e presionit dhe realizimin e përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhet në aktakuzë.
Pasi tha se elaboroi secilën provë, vlerësoi dhe argumentoi ato, Prokuroria Speciale tha se erdhi në përfundim se Fatmir Sheholli është “plotësisht përgjegjës për veprimet e tij” dhe se ka kryer spiunazh dhe shantazh.

