Donald Trump ka thënë se “diçka mund të dalë” nga takimi i panjoftuar i së martës midis kreut të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA) dhe figurave nga shërbimet e inteligjencës ruse, ka raportuar BBC.
Ka pasur spekulime se pse John Ratcliffe shkoi në Moskë të martën, duke mbërritur në një aeroplan ushtarak dhe duke u larguar orë më vonë.
Presidenti amerikan nuk zbuloi se çfarë u diskutua gjatë bisedimeve jokonvencionale, por e përshkroi takimin si “gjysmë rutinë”, duke shtuar se Uashingtoni “do të donte të shihte fundin e luftës në Ukrainë”.
Takimi i fundit i krahasueshëm u zhvillua në muajt që çuan në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Kremlini tha se Ratcliffe nuk ishte takuar me Presidentin rus Vladimir Putin.
“Pati kontakte me shërbimet e inteligjencës”, u tha gazetarëve sekretari i shtypit i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Nuk pati takime me presidentin e Rusisë. Kjo është e gjitha që mund të them për këtë temë. Natyrisht, Presidenti Putin informohet menjëherë për gjithçka”, shtoi ai.
Peskov i bëri këto komente në përgjigje të një pyetjeje në konferencën e tij të përditshme për shtyp nga një gazetar i gazetës ruse Rossiyskaya Gazeta, i cili pyeti nëse Vladimir Putin ishte i informuar për takimet e shefave të CIA-s dhe “në çfarë niveli” ishin mbajtur ato.

