Prima Pramac Yamaha ka vendosur të ndryshojë një pjesë të formacionit për sezonin 2027, duke i dhënë fund bashkëpunimit me Jack Miller dhe duke promovuar në MotoGP talentin e saj nga Moto2, Izan Guevara.
Me këtë lëvizje, skuadra po zgjedh qartë të investojë te gjenerata e ardhshme përpara hyrjes në një epokë të re teknike të kampionatit.
Yamaha dhe Pramac kanë konfirmuar se Miller do të largohet në fund të sezonit 2026. Australiani, katër herë fitues në MotoGP, iu bashkua projektit të Pramac Yamaha më 2025 dhe me përfundimin e këtij edicioni, do ta mbyllë aventurën e tij dyvjeçare me skuadrën “satelit” të Yamaha-s.
Largimi i tij hap vendin për një fytyrë të re në formacionin e vitit të ardhshëm dhe Prima Pramac zëvendësimin e kanë gjetur te spanjolli 22 vjeçar, Izan Guevara, që ngjitet nga Moto2 në klasën mbretërore.
Guevara, kampion bote në Moto3 më 2022 dhe aktualisht i dyti në renditje të kampionatit 2026 në Moto2, nga edicioni i ardhshëm, do të bëhet shok skuadre i turkut Toprak Razgatlıoğlu te Prima Pramac Yamaha.
Promovimi i Guevarës ka edhe një domethënie më të madhe për Yamaha-n. Spanjolli vjen nga struktura BLU CRU Pramac Yamaha Moto2, programi i zhvillimit të talentëve të markës japoneze, duke e bërë kalimin e tij në MotoGP një shembull konkret të strategjisë së Yamaha-s për të ndërtuar gjeneratën e ardhshme të pilotëve.
Me Izan Guevara dhe Toprak Razgatlıoğlu, formacioni i Prima Pramac Yamaha për 2027 është tashmë i kompletuar. Guevara do të hyjë në MotoGP pikërisht në sezonin kur kampionati kalon në një epokë të re teknike, me motorë 850cc dhe ndryshime të mëdha në rregullore, një sfidë e madhe, por edhe një mundësi ideale për një debutues që vjen nga programi i zhvillimit të Yamaha-s.

