Një nxënëse nga Prizreni ka treguar shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar në polici.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës 20:45. Kuleta ishte gjetur në rrugën “Ekrem Rexha” nga nxënësja O.T., e lindur në vitin 2011, e cila së bashku me prindin e saj e dërgoi menjëherë në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren.
Në kuletë kishte të holla dhe dokumente personale të pronarit. Policia, përmes dokumenteve identifikuese, arriti ta kontaktojë pronarin, i cili u paraqit në stacion dhe e mori kuletën.
Pronari falënderoi nxënësen për veprimin e saj të ndershëm, si dhe policinë për angazhimin në kthimin e sendeve të humbura.
Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si shembull të përgjegjësisë qytetare, ndershmërisë dhe bashkëpunimit të mirë ndërmjet qytetarëve dhe policisë.

