Deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, ka deklaruar se qëndrimet e partisë së saj lidhur me zhvillimet politike nuk kanë pasur për qëllim marrjen e pushtetit apo bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje, por mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Kosovës.
Kadriaj tha se deri më tani nuk kanë parë ndonjë deklaratë konkrete nga kryeministri Albin Kurti lidhur me kërkesat e Aleancës.
“Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona dhe parimet tona. Nuk kanë qenë qëndrime për ndonjë pushtet, e as për të qeverisur me Lëvizjen Vetëvendosje. Kanë qenë qëndrime për interesin e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Kadriaj për Indeksonline.
Ajo theksoi se Aleanca pret që Kurti të dalë publikisht dhe të japë garanci për pikat e kërkuara nga AAK-ja, duke mos u mjaftuar vetëm me komunikime përmes përfaqësuesve.
“Nëse z. Kurti del dhe jep deklaratë për pikat tona dhe na jep garanci, por jo vetëm t’ua thotë përfaqësuesve, atëherë mund të flasim. Qoftë për gazin amerikan, ndërtimin e një termocentrali dhe pikat tjera për infrastrukturën, bizneset e vogla e të tjera”, tha ajo.
Kadriaj ka theksuar gjithashtu se Aleanca nuk është prononcuar asnjëherë për emra konkretë për pozita, duke nënvizuar se fokusi i saj ka qenë te parimet dhe kërkesat politike.
“Ne asnjëherë s’jemi prononcuar. S’kemi propozuar kandidat. Neve s’na ka interesuar emri”, përfundoi Kadriaj.

