Një nga përballjet më të shumëpritura të futbollit spanjoll zhvillohet sonte, kur Barcelona do të jetë mysafire e Atletico Madridit, në kuadër të kampionatit spanjoll.
Dy skuadrat e mëdha do të përballen në një duel që pritet të sjellë emocione, rivalitet dhe futboll të nivelit të lartë. Barcelona synon të marrë një rezultat pozitiv në një prej udhëtimeve më të vështira të sezonit, ndërsa Atletico Madridi dëshiron ta shfrytëzojë faktorin vendas për të triumfuar ndaj rivalit katalunas.
Interes të veçantë para kësaj sfide paraqet gara për kreun e tabelës. Barcelona kryeson me 30 pikë nga 11 ndeshje, ndërsa Atletico Madridi ka 28 pikë dhe një fitore eventuale do ta kalonte skuadrën e Hansi Flickut në renditje. Edhe Real Madridi ka 30 pikë, duke e bërë edhe më të rëndësishme këtë përballje para pushimit për ndeshjet e kombëtareve.
Atletico vjen në këtë takim pas një serie prej shtatë fitoreve radhazi në La Liga dhe me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me vetëm tetë gola të pranuar. Megjithatë, skuadra e Diego Simeones vjen pas humbjes 2:0 nga Bayern Munichu në Ligën e Kampionëve.
Në anën tjetër, Barcelona ka treguar një forcë të jashtëzakonshme në repartin ofensiv, duke realizuar 46 gola në 11 ndeshje kampionale. Katalunasit vijnë me moral të lartë pas fitores 6:1 ndaj Alavesit në La Liga dhe triumfit 3:0 ndaj Aston Villas në Ligën e Kampionëve.
Përballja pritet të jetë një test i rëndësishëm për të dy trajnerët. Simeone synon ta shfrytëzojë organizimin defensiv dhe mbështetjen e tifozëve në Metropolitano, ndërsa Flick do të kërkojë që skuadra e tij të imponojë ritmin dhe lojën sulmuese që e ka karakterizuar këtë sezon.
Barcelona do të jetë pa Dani Olmon, Roony Bardghjin dhe Xavi Espartin, ndërsa Atletico nuk mund të llogarisë në Cristian Romeron dhe Johnny Cardoson.
Ndeshja Atletico Madrid – Barcelona zhvillohet sonte në stadiumin “Riyadh Air Metropolitano” dhe fillon nga ora 21:00. FC Barcelona

