Si e “paralajmëroi” Abdixhikun për situatën në LDK deputeti i VV’së një ditë para marrëveshjes

by Nexhat

Ndërsa në fundjavë nisi të përflitej se emri i Bekim Sejdiut po shqyrtohej në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për çështjen e Presidentit të ri, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje lanë të kuptohej se palët ishin afër finalizimit të marrëveshjes.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu të dielën shprehej optimiste se do të vinin “rezultate pozitive” dhe uronte “që marrëveshja të përmbyllet sa më parë” dhe “që kjo javë që po vjen të jetë vendimtare për për procesin e ardhshëm”.

banner

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha atë ditë se në rast të një marrëveshjeje me LDK-në, kryetari i kësaj partie duhej të garantonte për të gjitha votat e 18 deputetëve për emrin e dakorduar.

Ai thoshte se nuk mund të fliste për “sjelljen individuale” të deputetëve të LDK-së, duke e lënë disi të hapur mundësinë që marrëveshja të mos pranohej unanimisht në grupin parlamentar të kësaj partie.

“Ky është një dimension i rëndësishëm, ç’është e vërteta, për shkak edhe të zhvillimeve të brendshme në LDK, por unë nuk mund të flas, le të themi, për sjelljen individuale të deputetëve të LDK-së. Zoti Abdixhiku e përfaqëson LDK-në, zoti Kurti e përfaqëson Vetëvendosjen. As nuk i kemi kërkuar, ç’është e vërteta, sepse ne e trajtojmë formalisht si kryetar të LDK-së. I mbetet zotit Abdixhiku ta menaxhojë grupin e tij parlamentar dhe, në momentin kur dakordohet për emrin, e bëjmë marrëveshje, të garantojë, le të themi, edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje nga pozicioni i LDK-së”, tha Rrustemi për KosovaPress.

Një ditë më pas, Kurti dhe Abdixhiku dolën së bashku në një konferencë për media, ku kryetari i LDK-së e shpalli arritjen e marrëveshjes. Tha se e kishin gjetur njeriun e duhur për President: Bekim Sejdiun.

Pak minuta më pas, erdhi menjëherë kundërshtimi i parë në LDK për marrëveshjen. Deputeti Avdullah Hoti, i pyetur nëse do ta votojë Sejdiun për President, iu përgjigj shkurt: “JO”. Më pas shkroi në një postim në Facebook se “nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”. Tha se “Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë unifikuese” dhe se kjo kandidaturë “nuk e përmbush këtë kriter”.

Në një mbledhje të grupit parlamentar të LDK-së dje pasdite, edhe pesë deputetë të tjerë të kësaj partie dolën kundër marrëveshjes së Abdixhikut me Kurtin.

Dy nënkryetarë të LDK-së, Imri Ahmeti dhe Gazmend Muhaxheri, thanë paraprakisht se emri i Bekim Sejdiut do të duhej të diskutohej paraprakisht në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

Kurti qëndroi i heshtur në një konferencën e përbashkët për media me Abdixhikun të hënën. Nuk foli as më vonë gjatë ditës. Nuk e tha asnjë fjalë për kandidaturën e Sejdiut deri dje pasdite, kur në LDK po mbahej mbledhja e grupit parlamentar.

“Kemi edhe një mbledhje të brendshme edhe gjithçka shpresojmë që do të shkojë mbarë e mirë, sepse po mundohemi për të mirë, e po punojmë mbarë”, tha ai, ndërsa në darkë doli nga mbledhja me grupin parlamentar të partisë së tij për të thënë se të gjithë deputetët e LVV-së e mirëpritën dhe e mbështetën kandidaturën e Sejdiut për President, dhe për ta quajtur “absurde” kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së.

Abdixhiku dje paralajmëroi pasoja për gjashtë deputetët që nuk u pajtuan me e kandidatit për President për të cilin ai ishte dakorduar me Kurtin. I pyetur për masat që do të merren ndaj tyre, ai tha ato do të vijnë.

Kreu i LDK-së dje përmendi zgjedhjet e reja për të cilat fajin tha se do ta kenë këta bashkëpartiakë të tij.

Ai ka thënë se diskutime të reja për ta gjetur një emër tjetër për President tha se “nuk ka më” dhe “nuk duhet të ketë”.

Kurti, në anën tjetër, ka kërkuar të ritakohet me Abdixhikun “për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet të ndjekim përpara”. Ai paralajmëroi sot se ky takim mund të zhvillohet sot më vonë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy