Deklarata e Aleksandar Vuçiqit në Uzice se “Kosova është Serbi. Ishte, është dhe do të jetë”, nuk duket të jetë thjesht një përsëritje e qëndrimit të njohur të Beogradit ndaj Kosovës.
Në kontekstin aktual politik në Serbi, rikthimi i kësaj teme në qendër të një tubimi politik mund të lexohet edhe si pjesë e një strategjie më të gjerë elektorale.
Në një moment kur pushteti i Vuçiqit përballet me një sfidë të pazakontë nga lëvizja studentore dhe kur zgjedhjet e parakohshme parlamentare po shfaqen si një mundësi reale, çështja e Kosovës mbetet një prej instrumenteve më të fuqishme për mobilizimin e elektoratit nacionalist dhe konsolidimin e bazës tradicionale të pushtetit.
Kosova ka një peshë të veçantë në politikën e brendshme serbe. Për dekada, ajo është përdorur si simbol kombëtar, çështje identitare dhe pikë referimi për të përcaktuar qëndrimet politike ndaj pushtetit dhe opozitës. Për Vuçiqin, rikthimi te kjo temë i jep mundësinë që debati publik të zhvendoset nga problemet e brendshme drejt një çështjeje ku retorika nacionaliste ka potencial të madh mobilizues.
Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse sondazhet dhe modelet zgjedhore sugjerojnë se SNS mund të përballet me një garë shumë më të vështirë se në zgjedhjet e kaluara.
Skenari i BIRODI-t, sipas të cilit lista e mbështetur nga studentët mund të arrijë 48.5 për qind, ndërsa lista e lidhur me SNS–Vuçiq 38.6 për qind, e vendos këtë retorikë në një kontekst tjetër.
Edhe nëse këto shifra nuk janë sondazh dhe nuk mund të trajtohen si parashikim i rezultatit përfundimtar, ato tregojnë një skenar politik në të cilin Vuçiq mund të ketë nevojë për një mobilizim maksimal të elektoratit të tij.
Në këtë pikë, Kosova mund të funksionojë si një temë mobilizuese, sidomos për votuesit që e shohin politikën përmes prizmit të nacionalizmit, sovranitetit dhe marrëdhënieve me Perëndimin.
Sfida më e madhe për Vuçiqin nuk është vetëm konkurrenca e një partie tjetër politike. Lëvizja studentore ka tentuar ta ndryshojë vetë boshtin e debatit politik në Serbi, duke e zhvendosur atë drejt institucioneve, korrupsionit, përgjegjësisë politike dhe funksionimit të shtetit.
Në një situatë të tillë, Kosova ofron një narrativë krejtësisht tjetër.
Në vend që zgjedhjet të dominohen nga pyetjet se çfarë ka ndodhur brenda Serbisë dhe pse pushteti po përballet me protesta, debati mund të zhvendoset te “mbrojtja e interesave kombëtare”, “presioni i Perëndimit” dhe “çështja e Kosovës”.
Kjo është një teknikë politike e njohur – kur një qeveri përballet me presion të brendshëm, një çështje e jashtme me ngarkesë të lartë emocionale mund të përdoret për të rikonsoliduar identitetin politik të elektoratit.
Në rastin e Vuçiqit, Kosova është veçanërisht e përshtatshme për këtë rol, sepse ai mund të paraqitet njëkohësisht si lider që “mbron interesat kombëtare” dhe si aktor që negocion me fuqitë perëndimore.
Një mesazh për dy audienca
Deklarata e bërë në Uzice ka edhe një tjetër dimension.
Kur Vuçiq thotë se Kosova “ishte, është dhe do të jetë” Serbi, mesazhi nuk i drejtohet vetëm publikut të brendshëm. Ai mund të lexohet edhe si sinjal për aktorët ndërkombëtarë se Beogradi nuk ka ndërmend ta braktisë retorikën e tij kushtetuese dhe politike për Kosovën, pavarësisht dialogut me Prishtinën dhe presionit të Bashkimit Evropian.
Por audienca kryesore mbetet ajo vendore.
Në prag të një gare të mundshme zgjedhore, një deklaratë e tillë është politikisht shumë më e dobishme për Vuçiqin sesa një diskutim i gjatë mbi indikatorët ekonomikë, protestat studentore apo problemet institucionale. Kosova është një temë që prodhon reagim emocional, ndërsa çështjet e qeverisjes kërkojnë debat më kompleks dhe më të vështirë për t’u kontrolluar politikisht.
Megjithatë, përdorimi intensiv i Kosovës si instrument elektoral mbart edhe rreziqe.
Nëse zgjedhjet shndërrohen në një referendum mbi nacionalizmin, marrëdhëniet me Perëndimin dhe Kosovën, atëherë hapësira për debat mbi problemet konkrete të qytetarëve serbë mund të ngushtohet ndjeshëm.
Për më tepër, retorika e fortë për Kosovën mund të krijojë një paradoks për Vuçiqin. Në planin ndërkombëtar, Serbia kërkon të ruajë marrëdhëniet me BE-në dhe të avancojë procesin e integrimit evropian; në planin e brendshëm, presidenti serb ka interes të ruajë një retorikë që e pozicionon atë si mbrojtës të interesave kombëtare.
Kjo e lejon Vuçiqin të luajë në dy fusha njëkohësisht. Pra, të negociojë me Perëndimin, ndërsa para elektoratit të tij të paraqitet si lider që nuk heq dorë nga Kosova.
Nëse zgjedhjet e parakohshme mbahen në tetor, intensifikimi i kësaj retorike mund të jetë tregues i mënyrës se si do të zhvillohet fushata.
Nëse lëvizja studentore vazhdon të mbajë avantazh politik dhe SNS përballet me vështirësi në mobilizimin e elektoratit, Kosova mund të bëhet një prej temave kryesore për ta rikthyer fushatën në terrenin ku Vuçiqi ka pasur tradicionalisht avantazh: nacionalizmin, sigurinë dhe marrëdhëniet me jashtë.
Kjo nuk do të thotë se deklarata e tij është domosdoshmërisht provë se Kosova po përdoret vetëm për qëllime elektorale. Çështja është realisht pjesë qendrore e politikës shtetërore serbe dhe e identitetit politik të një pjese të madhe të shoqërisë serbe.
Por koha, mënyra dhe konteksti në të cilin Vuçiq e rikthen atë në fjalimet e tij kanë rëndësi politike.
Dhe në një moment kur presidenti serb përballet me një sfidë të re elektorale, pyetja nuk është vetëm se çfarë mendon Vuçiq për Kosovën, por edhe pse po zgjedh ta bëjë Kosovën përsëri një prej mesazheve kryesore të tij pikërisht tani.
Në këtë kuptim, Kosova mund të shërbejë jo vetëm si çështje e politikës së jashtme të Serbisë, por edhe si instrument i politikës së brendshme, një kartë mobilizuese që Vuçiq mund ta përdorë për të forcuar elektoratin e tij në një garë ku, sipas skenarëve të cituar, rreziku politik është më i madh se zakonisht.
The GeoPost

