Katër vatra zjarri mbeten ende aktive në Shqipëri, ndërsa situata menaxhohet në mënyrë të pandërprerë nga strukturat e emergjencave.
Sipas të dhënave operative të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), të përditësuara mbrëmjen e së mërkurës, në shkallë vendi janë raportuar gjithsej 20 vatra, nga të cilat 3 janë nën mbikëqyrje dhe 3 janë shuar plotësisht.
Për menaxhimin e situatës dhe izolimin e flakëve janë angazhuar në terren 183 forca operacionale dhe 21 automjete zjarrfikëse.
Operacioni mbështetet gjithashtu nga 80 pjesëtarë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.Vatrat aktive dhe operacionet në terren
Dajt–Qafë Priskë: Situata paraqitet ende problematike për shkak të terrenit, por autoritetet konfirmojnë se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Lundre (Mat): Flakët kanë përshkuar një sipërfaqe të konsiderueshme prej rreth 90–100 hektarësh pyll. Për shkak të përmasave të zjarrit, ndërhyrja nga toka po mbështetet edhe nga ajri përmes 1 helikopteri të Forcës Ajrore.
Vajkal (Bulqizë): Zjarri ka djegur mbi 13 hektarë sipërfaqe, ku po punohet intensivisht me një angazhim të shtuar të forcave operacionale.
Mallunxë (Mat): Ndërhyrja vijon në zonën pyllëzuar për të mbajtur nën kontroll dhe për të shuar plotësisht vatrën.
Në Iballë të Fushë-Arrëzit, për shkak të terrenit shumë të thyer dhe pamundësisë së aksesit nga toka, është angazhuar 1 helikopter i FA për të mbajtur situatën nën monitorim.
Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe në malin e Qukësit janë vënë nën kontroll dhe mbeten nën mbikëqyrje të rreptë.
Gjatë orëve të fundit është arritur shuarja e plotë e zjarreve në Podgorc, Psar dhe Therepel (Skrapar).
Në Therepel ndërhyrja e shpejtë e forcave operacionale ka shmangur një rrezik madhor, pasi flakët kërcënonin drejtpërdrejt tubacionin e gazsjellësit transadriatik TAP.
AKMC bën me dije se mbetet në gatishmëri të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me prefekturat e bashkitë për të ndërhyrë në kohë, me prioritet absolut mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë publike e private

