Gjatë një takimi me shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur ish-krerët politikë të Kosovës që ndodhen në Hagë, duke u uruar pafajësinë dhe kthimin sa më të shpejtë në atdhe.
Mesazhi i Berishës i drejtohet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Dua të përshëndes sot para jush dhe në emrin tuaj ish-udhëheqjen politike të Kosovës, që vuajti me vite të tëra dhe që uroj nga zemra të marrin pafajësinë dhe të kthehen të lirë në tokën e tyre”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha foli edhe për rikthimin e tij në SHBA dhe për marrëdhëniet që synon të ndërtojë me administratën amerikane në rast se opozita vjen në pushtet.
Ai deklaroi se rikthimin në SHBA do ta përdorë për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar këtë marrëdhënie si të një rëndësie jetike për të ardhmen e vendit.

