Andreas Christensen ka fituar një nofkë të pazakontë brenda dhomës së zhveshjes së Barcelonës, pasi bashkëlojtarët e tij thuhet se e kanë krahasuar me Franz Beckenbauerin, të impresionuar nga paraqitjet e tij në stërvitje.
Sipas një raportimi të “SER”, mbrojtësi danez ka krijuar një reputacion të veçantë te bashkëlojtarët për cilësinë që shfaq në fushën e stërvitjes, pavarësisht vështirësive për të ruajtur vazhdimësinë e paraqitjeve në ndeshje.
Këto vlerësime vijnë në një kohë kur Christenseni po punon për t’u rikthyer pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit.
Nofka “Beckenbauer” tregon vlerësimin që gëzon Christenseni brenda skuadrës.
Në fakt, personat që e njohin nga afër punën e tij kanë qenë veçanërisht të drejtpërdrejtë në vlerësimet e tyre, duke thënë: “Christenseni është fenomenal”.
Raportimi shton:
“Ai impresionon në çdo seancë stërvitore. Ky është një fakt.
“Por, duke parë atë që shfaq në stërvitje, Flicku gjithmonë thotë: ‘Ma lini mua këtë djalosh!’”
Hansi Flick thuhet se vazhdon të jetë i bindur se Christenseni mund të japë një kontribut të rëndësishëm sapo të rikthehet në gjendje të plotë fizike.
Në raportim, mbrojtësi përshkruhet si “një Maradona i vërtetë” në stërvitje, gjë që tregon nivelin e admirimit që ka fituar.
Duhet kujtuar se Christenseni është jashtë fushave që nga 19 shtatori, kur pësoi një lëndim në kofshën e majtë në ndeshjen kundër Sevillas.
Barcelona konfirmoi më 20 shtator se futbollisti kishte pësuar një tërheqje të muskulit rectus femoris në kuadricepsin e këmbës së majtë, pa caktuar një datë të saktë për rikthimin e tij.
Ka pasur përparim në prag të ndeshjes së së dielës kundër Atletico Madridit, pasi Christenseni e përfundoi një pjesë të stërvitjes së së premtes me grupin. Kjo i jep mundësinë që të marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor dhe t’i bashkohet skuadrës.
Për Flickun, rikthimi i danezit do të ishte një lehtësim i madh për repartin defensiv, i cili është përballur me lëndime gjatë muajve të fundit. Kjo situatë kontribuoi edhe në dy humbjet radhazi ndaj Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit.
Megjithatë, edhe nëse Christenseni merr lejen për të luajtur, nuk pritet që Flicku ta inkuadrojë menjëherë në formacionin titullar kundër një kundërshtari kaq kërkues si Atletico Madridi.

