Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimit që ish-komandanti i Ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të varroset me ceremoni shtetërore.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), BE-ja shpreh solidaritet me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, duke i cilësuar konfliktet e armatosura të viteve ’90 në Ballkanin Perëndimor si “ndër momentet më të errëta të Evropës në historinë e saj të kohëve të fundit”.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën nga krimet e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë”, thuhet në deklaratë.
BE-ja rikujton se Mladiqi vdiq derisa po vuante dënimin e përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Në deklaratë, Brukseli përcjell një mesazh të qartë kundër glorifikimit të tij dhe mohimit apo relativizimit të krimeve për të cilat është dënuar.
“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE apo në vendet kandidate për anëtarësim në BE”, thuhet në deklaratë.
BE-ja thekson se pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.
Bashkimi Evropian deklaron se do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për pajtim dhe stabilitet rajonal, si dhe në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për mosmarrëveshjet rajonale e dypalëshe që lidhen me trashëgiminë e konflikteve të së kaluarës.

